Pentagoni anuloi një projekt prej miliarda dollarësh por me probleme teknike, për ndërtimin e një arme që do të shkatërronte raketat balistike para se ato të godasin.
Sipas analistëve, anulimi i programit synon pjesërisht shqyrtimin e qasjeve të reja për mbrojtjen nga raketat në një kohë ndryshimesh të shpejta teknologjike.
Arsyeja e dhënë për anulimin e kontratës me firmën Boeing, ishte se problemet e projektimit të sistemit janë të tilla që nuk mund të kapërcehen ose janë tepër të kushtueshme për t’u korrigjuar.
Përtej këtyre shqetësimeve, Pentagoni po shqyrton idetë nëse duhet të fillojë punën nga e para për krijimin e një mbrojtjeje kundër raketave balistike ndërkontinentale, siç janë ato që aspiron të ndërtojë Koreja e Veriut, si dhe llojeve të reja të raketave.
Një tregues i këtij shqetësimi më të gjerë është deklarata e Pentagonit se ai do të ftojë tani firmat e industrisë për të krijuar një “interceptues të brezit të ardhshëm”, ndoshta një armë që mund të shkatërrojë raketat hipersonike që po prodhohen nga Kina dhe Rusia.
Pentagoni aktualisht ka 44 interceptorë raketash të vendosur kryesisht në Alaska. Secili është krijuar për t’u lëshuar nga një objekt nëntokësor, të për t’u ngritur mbi atmosferën e Tokës dhe për të hedhur një pajisje që shkatërron objektivin me anë të përplasjes.
Këto armë janë testuar, por nuk janë përdorur kurrë në luftime.
Pentagoni kishte shpenzuar afro 1.2 miliard dollarë për projektin kur Michael Griffin, nënsekretari i mbrojtjes për kërkimet dhe inxhinierinë, vendosi javën e kaluar ta anulojë atë.
Pentagoni la të kuptohet se kërkon jo vetëm një mjet më të mirë shkatërrues të raketave por edhe një lëshues më të fuqishëm. Me fjalë të tjera, mund të synojë një armë që do të shërbente si mbrojtje kundër një grupi më të gjerë kërcënimesh nga raketat./VOA