Një raport i ri i Pentagonit parashikon që Kina së paku do të dyfishojë arsenalin e saj të raketave me mbushje bërthamore gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa vazhdon përpjekjet për ndërtimin e aftësive për të kryer sulme bërthamore nga toka, deti dhe ajri.
Modernizimi dhe zgjerimi i fuqisë bërthamore të Kinës është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë që synon të barazohet, dhe në disa raste të tejkalojë, ushtrinë e Shteteve të Bashkuara deri në vitin 2049 si fuqia dominuese në rajonin e Indo-Paqësorit, sipas raportit të përvitshëm të Pentagonit “Fuqia Ushtarake e Kinës” për Kongresin, që u publikua të martën.
Raporti thotë se numri i mbushjeve bërthamore aktualisht vlerësohet të jetë pak më shumë se 200 dhe përfshin ato që mund të instalohen në raketa balistike, të afta për të arritur në Shtetet e Bashkuara.
Kjo është hera e parë që Pentagoni ka deklaruar një numër specifik të mbushjeve bërthamore kineze, u tha gazetarëve këtë javë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Chad Sbragia.
“Ne sigurisht që jemi të shqetësuar për këtë numër”, tha zoti Sbragia, “por ne gjithashtu jemi të shqetësuar nga trajektorja e zhvillimit bërthamor të Kinës në përgjithësi.”
Aftësitë bërthamore të Shtetevet të Bashkuara
Arsenali bërthamor i Shteteve të Bashkuara, me rreth 3,800 mbushje bërthamore me status aktiv, është akoma shumë më i madh në krahasim me arsenalin kinez. Shtetet e Bashkuara kanë nëndetëse dhe aeroplanë të aftë për të kryer një sulm bërthamor, së bashku me raketa balistike ndërkontinentale në tokë.
Kinës i mungon aftësia për të lëshuar armë bërthamore nga ajri, por Pentagoni tha se ushtria kineze në fund të vitit të kaluar zbuloi publikisht avionin H-6N si bombarduesin e saj të parë bërthamor që mund të furnizohet me karburantit në ajër.
Në 15 vitet e fundit, marina kineze ka ndërtuar 12 nëndetëse bërthamore, gjashtë prej të cilave mund të shërbejnë si mjete “parandaluese bërthamore të besueshme detare” të Kinës, sipas raportit. Nga mesi i viteve 2020 Kina ka të ngjarë të ndërtojë një nëndetëse të re të aftë për të kryer sulme bërthamore me raketa që mund të sigurojë një mundësi të fshehtë sulmi tokësor nëse pajiset me raketa për sulme tokësore.
Kina ka refuzuar thirrjet nga administrata e Presidentit Trump për t’u bashkuar me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në një marrëveshje për të kufizuar prodhimin e armëve strategjike bërthamore. Pa përfshirjen e Kinës, Shtetet e Bashkuara duket se janë të gatshme të mos e zgjasin një traktat ekzistues të armëve SHBA-Rusi që pritet të skadojë në shkurt të vitit 2021.
Shkelja e rregullave
Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper paralajmëroi se sistemi “i lirë dhe i hapur” në botë i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore ishte nën sulm nga ajo që ai e quajti “shkellje të rregullave të veprimit” nga Kina në rajonin e Indo-Paqësorit. Ai foli në Hawaii para udhëtimit të tij në rajonin e Indo-Paqësor për të përkujtuar 75 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore të mërkurën.
Zoti Esper e quajti rajonin e Indo-Paqësorit “epiqendër” të konkurrencës së madhe të fuqisë, duke u zotuar të mos “lëshojë pe” ndaj vendeve që kërcënojnë liritë ndërkombëtare, që duket se ishte një kritikë ndaj Kinës.
Mes stërvitjeve ushtarake kineze javën e kaluar, Pekini lëshoi katër raketa balistike me rreze të mesme veprimi nga territori tokësor i Kinës në ujërat e debatueshme të Detit të Kinës Jugore, tha për Zërin e Amerikës një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Pentagoni lëshoi një deklaratë shqetësimi, duke thënë se veprimet e Kinës, “janë në kundështim me premtimin e saj për të mos militarizuar Detin e Kinës Jugore dhe në kontrast me vizionin e Shteteve të Bashkuara për një rajon të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor, në të cilin të gjitha vendet, të mëdha dhe të vogla, janë të sigurta në sovranitetin e tyre, të lira nga detyrimi dhe të afta për të ndjekur rritjen ekonomike në përputhje me rregullat dhe normat e pranuara ndërkombëtare”./VOA/