Ceremoni shtetërore për “Dëshmorin e Atdheut”
Me dhimbje e nderime të thella ju dha sot lamtumira e fundit majorit Klodian Tanushi, që humbi jetën gjatë një misioni ushtarak në Letoni.
Homazhet për dëshmorin më të ri të atdheut u mbajtën në Muzeun Kombëtar. Para arkmortit u përulën me nderime, familjarët, miqtë e kolegët e komandat Tanushit. Pranë tij për herë të fundit ishte dhe rreshteri Julian Kapaj, i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi i minës.
Përpara trupit të majorit u përkulën edhe krerët më të lartë të shtetit, teksa vlerësuan sakrificën dhe kontributin e tij në FA.
Trupi i majorit u dërgua të prehet përjetësisht mes dëshmorëve të Atdheut pranë Nënës Shqipëri.
Major Klodjan Tanushi nuk ju përgjigj apelit të fundit, pasi shpërthimi i një mine në Camp Adazi të Letonisë i mori jetën komandantit të kontingjentit shqiptar si dhe nëntetares Zerife Hasanaj.
Të gjitha institucionet ulën flamujt në gjysmështizë për të respektuar zinë kombëtare. Major Tanushi ndërroi jetë katër ditë pas ngjarjes së rëndë për shkak të lëndimeve të shumta, teksa la pas 3 fëmijët e mitur dhe bashkëshorten. /Tv Klan/