Filo-rusët: Ushtria ukrainase po na sulmon. Kievi e mohon
Deklaratat e Moskës për tërheqjen e trupave e një pjese të trupave ushtarake nga kufijtë me Ukrainën kanë krijuar konfuzion. Zyrtarët perëndimorë akuzojnë Rusinë se po gënjen opinionin publik. Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamje të makinerive ushtarake që lëviznin nga zonat kufitare pasi kishin mbaruar stërvitjen, duke pretenduar se kishte nisur rikthimi i tyre në bazat e përhershme.
Por e përditshmja Uashington Post citon zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët thonë se jo vetëm që nuk ka tërheqje të trupave, por në kufijtë perëndimorë të Rusisë janë shtuar edhe 7 mijë ushtarë të tjerë.
Gjatë ministerialit të NATO-s në Bruksel, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se pamjet e publikuara nga Moska nuk vërtetojnë tërheqje. Këtë e vërtetojnë imazhet më të fundit satelitore, që tregojnë prani të madhe ushtarake ruse pranë kufijve ukrainas.
Sakaq, rebelët pro-rusë akuzuan ushtrinë ukrainase se gjatë 24-orëve të fundit ka bombarduar rajonet separatiste. Kievi i hodhi poshtë këto pretendime, teksa ushtria vendase po kryen stërvitje intensive për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm nga Rusia.
Muajin e kaluar, Pentagoni paralajmëroi se zbulimi ushtarak rus mund të inskenojnë një sulm të rremë të ushtrisë ukrainase ndaj rajoneve pro-ruse në lindje të Ukrainës, për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake.