Seanca plenare në Kuvend sipas rregullores nuk do të duhej të kishte debat, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kërkesa e LSI për rishikim të përbërjeve të Komisioneve Parlamentare ka ngjallur debate dhe opozita braktisi punimet.
Tashmë drejtuesit e tetë koomisioneve janë miratuar, por mbetet që përbërja e tyre të konfirmohet në seancën e radhës. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza kundër Nikollës, duke thenë se ajo është një manekin dhe ndryshoi rendin e ditës.
Ndërkohë Taulant Balla në emër të PS, kërkoi që opozita të mos krijonte debate, por diskutime të frytshme. Ndërkohë sot u zgjodhën dhe emrat e deputetëve të rinj që të jenë pjesë e byrosë së Kuvendit dhe sekretariateve.
Komisionet Parlamentare që do të drejtojë PS
Komisioni i Ligjeve, Klotilda Bushka
Komisioni i Ekonomisë, Eduart Shalsi
Komisioni për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese dhe Tregtinë, Arben Pëllumbi
Komisioni i Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço
Komisionet Parlamentare që do të drejtojë PD
Komisioni i Integrimit, Etilda Gjonaj
Komisioni i Shëndetësisë, Albana Vokshi
Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit, Agron Gjekmarkaj
Opozita me tre grupe parlamentare në Kuvend, aleatët ndahen nga PD
Në legjislaturën e re në Kuvendin e Shqipërisë do të ketë 4 grupe parlamentare. Partia Socialiste ka zgjedhur që të ketë vetëm një grup parlamentar, ndërsa opozita do të ketë tre të tillë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka bërë me dije se përveç grupit të PD janë krijuar dhe dy grupime të tjera.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste me 74 deputetë, kryetar Taulant Balla
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me 44 deputetë, kryetar Alfred Rushaj
Grupi për Demokraci dhe Integrim me 7 deputetë, kryetare Mesila Doda
Grupi Aleanca për Ndryshim me 7 deputetë, kryetar Fatmir Mediu.
Zbardhet porosia e Ramës për deputetët, rikonfirmohet Balla në krye të grupit të PS
Pak para se të niste seanca plenare, socialistet kane mbledhur grupin parlamentar për të diskutuar mbi veprimtarinë parlamentare dhe po ashtu qëndrimin që mazhoranca do të mbajë në raport me opozitën e rikthyer në Kuvend.
Burime për Klan News bëjnë me dije se para nisjes së diskutimeve socialistët kanë votuar me 72 vota pro, Taulant Ballen në krye të Grupit Parlamentar.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga deputetët ti shmangen debatit me opozitën dhe po ashtu debatit të brendshëm në PD pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentare.
Opozita braktis seancën plenare, Basha akuza Lindita Nikollës
Një kërkesë e Petrit Vasilit për rishikimin e përbërjes së Komisioneve Parlamentare ka rikthyer debatet në Kuvend.
Opozita kërkoi që të bëhej një pushim dhe më pas të riktheheshin të gjithë në Kuvend, ndërsa maxhoranca kërkoi më shumë kohë dhe kjo pikë e rendit të ditës të votohej në seancën e radhës.
Por me shumicë votash propozimi i opozitës u rrëzua dhe kreu i PD, Lulzim Basha, nisi të fliste nga vendi dhe pa mikrofon duke hedhur akuza për kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën.
“Ti je manekin. E rrënove Parlamentin që ditën e parë”, dëgjohet të ketë thënë Basha në Kuvend.
Opozita braktisi seancën plenare, Balla: Nuk mund të fsheh keqardhjen
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas largimit të opozitës nga seanca plenare ka folur për mediat. Në një deklaratë në oborrin e Kuvendit, Balla tha se nuk mund të fshihte keqardhjen për këtë situatë që ndodhi sot.
Më tej ai u shpreh se sot nuk mund të kishte debat, pasi ashtu është dhe në rregullore dhe tha se në ditët në vijim do të ketë seanca të tjerë dhe shpreson që të gjendet dakordësia me opozitën.
“Unë nuk e fsheh keqardhjen në mungesën e arsyes për braktisjen e një seance, pasi do të ishte me një dakordësi të plotë. Fryma e neneve 21 dhe 22 të rregullores, nuk mund të kishte debate në këtë seancë.
Ajo që unë propozova që kishin më shumë kohë, pasi deputetët e LSI nuk kishin pasur mundësi që të propozonim anëtarët e tyre në komisione. Unë shpresoj që mos ketë më ngjarje si kjo e sotmja, pasi koha e debateve ka mbaruar”, u shpreh Balla.
Braktisja e Kuvendit, PD: Nuk do të lejojmë që të zvogëlohet zëri i opozitës
Kryetari i Grupit Parlamentar i të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, në një deklaratë për mediat ka treguar arsyen e braktisjes së seancës plenare nga Partia Demokratike.
Nga selia blu, Rushaj u shpreh se ikja nga Kuvendi sot u bë për arsye se ata nuk do të lejojnë që të zvogëlohet zëri i opozitës në Kuvend.
“Sot duhej të ishte një seancë rutinë, normale e kuvendit, ku secila prej forcave politike duhej të zinte vendin e vet në komisionet parlamentare për të bërë detyrën e vet në këtë Kuvend. Për fat të keq, që në seancën e parë me të dyja këmbët u shkel rregullorja. Dhe u shkel për çfarë? U shkel rregullorja për të zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të opozitës së Kuvend.
Kjo është e papranueshme, kjo është diçka që nuk duhet ta bëjë askush. Prandaj i bëjmë thirrje së pari kryetares së Kuvendit, së dyti grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet që në asnjë mënyrë të zvogëlojnë hapësirën e përfaqësimit të opozitës në Kuvend. Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare.
Detyra jonë është të marrim pjesë atje, të ngremë zërin e qytetarëve dhe të bëjmë opozitën. Ne do të ndjekim çdo rregullore, por ajo çfarë unë jam sot këtu për të thënë, është që Partia Socialiste nuk mundet dhe nuk do ta lejojmë që në mënyrë të hapur të shkel rregulloren. Nuk kemi pasur komunikim me LSI, pranuam kërkesën e LSI që ata të mund të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre. Kjo ishte kërkesa jonë që u refuzua nga Partia Socialiste”, tha Rushaj.