SI TA SHIKOJMË FILMIN

Me gjasë, ne shqiptarët, edhe më tutje duhet ta shikojmë filmin si mjet edukues, si mjet që të ngrit moralin apo si mjet që ta mëson dashurinë. Apo si mundësi ideale për t’i mësuar shkathtësitë marciale! Ekzistojnë filma që përcjellin informacione të bollshme e mahnitëse nga historitë e popujve të ndryshëm. Cilin lloj filmi ta shikojmë? Ne dimë të shikojmë film, por a dimë: si ta shikojmë filmin?

Filmi sot shikohet edhe si mediumi më i përshtatshëm për ta krijuar një botëkuptim të qartë, për ta pasur një informim të saktë, për ta kuptuar një mision historik, një ngjarje e cila kurrë nuk është dëgjuar dhe parë! Nuk bëhet fjalë këtu për propagandë, apo për reklamë, por për shpalosje të një ngjarje, të një të vërtete, e cila përmes filmit arrin dimensione të paprekshme shpirtërore.
A e kemi ne këtë lloj filmi? A e kemi ne, mbi të gjitha, këtë lloj qasje ndaj filmit! Si e konceptojmë ne filmin! Më konkretisht: cilat janë politikat tona institucionale ndaj filmit. Produksionet tona filmike janë themeluar për të bërë film apo për të bërë para për vete dhe për “donatorin”?
Filmi boshnjak që mori çmimin Oskar, “Në tokën e askujt”, u shfaq në qindra kinema anekënd botës! Filmi fitoi Oskar-in, çka fitoi populli boshnjak? Cili ishte përfitimi nacional më i madh nga ky film? Në shumë shtete ku është shfaqur, ka rezultuar që, nga qindra mijëra shikues, të mos kenë dëgjuar kurrë për Bosnjën dhe për popullin boshnjak, ndonëse nuk kishin kaluar as 15 vite kur në atë shtet dhe mbi atë popull ishte ushtruar gjenocid i paparë në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Në masë të madhe, në botë, popujve të ndryshëm nuk u intereson politika. Ata nuk i njohin as politikanët e vet, nuk dinë se çfarë ndodhë nëpër botë, nuk kanë kohë të shikojnë televizor. Të vetmen dritare që u krijoj akces me botën e kanë pranuar filmin që mund ta përcjellin nëpër kinema! Filmi “Në tokën e askujt” bëri që më se tetëdhjetë për qind e njerëzve që e shikuan atë, sakaq të navigojnë në internet e të kërkojnë sa më shumë informacione për këtë popull e për këtë shtet. Ja pra, efekti i filmit! Të gjithë ata u njoftuan edhe me krimet monstruoze që i përjetuan nga ushtria dhe paramilitarët serbë! Po kështu ndodhi edhe me filmin pasues “Katundet e mirë digjen mirë”!
Këta dy filma duhet të shërbejnë si shembull për qeveritë tona dhe të kuptojnë se bërja e filmave me metrazh të gjatë, të sponsorizuar “pa dhimbje e pa koprraci”, jo vetëm që do ta nderonte popullin tonë, por edhe do të bëheshin bartës së logjikës ndër ne se pa para nuk ka film të mirëfilltë.
Tema kemi për ta mahnitur botën e kinematografisë, motive kemi për të sjellë kryevepra, por nuk kemi para! Pa para, pa buxhet të mirëfilltë, vetëm sa mund të bëjmë filma “limonadë”, e të bëhemi gaz i botës. Zaten, janë temat nga bota shqiptare, janë afinitetet profesionale të kineastëve tanë, të cilët, ndonëse me buxhet minimal (për të mos thënë qesharak), megjithatë kanë arritur të depërtojnë nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare e të kthehen me çmime e mirënjohje!
Me gjasë, ne dimë të bëjmë filma, por politikat tona kulturore nuk dinë si ta shikojnë filmin! /HEJZA/

 

Leave a Reply