Përplasje mes forcave polake dhe emigrantëve në kufirin me Bjellorusinë

Forcat kufitare polake njoftuan sot se janë sulmuar me gurë nga emigrantët në kufirin me Bjellorusinë dhe se përdorën pompat e ujit kundër tyre. Ministria polake e Mbrojtjes tha gjithashtu se forcat bjelloruse u përpoqën të shkatërronin gardhin përgjatë kufirit të përbashkët mes dy vendeve. Ndërkohë sot parlamenti polak pritet të debatojë rreth një projektligji, i cili do të rregullonte lëvizjen në zonën kufitare me Bjellorusinë, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në këtë fund të këtij muaji.

Pamjet filmike të postuara në twitter nga Garda Kufitare polake tregojnë forcat e sigurisë së këtij vendi, duke përdorur pompa uji në drejtim të një grupi migrantësh në anën tjetër të kufirit.

Autoritetet thanë se një oficer u plagos rëndë me mjete të forta që emigratët hidhnin në drejtim të trupave polake në kufi.

Ministria polake e Mbrojtjes tha gjithashtu se forcat bjelloruse ishin përpjekur të shkatërronin gardhin përgjatë kufirit të përbashkët mes dy vendeve.

Polonia ka marrë një qëndrim të ashpër, duke përforcuar me trupa kufirin, një gjë që ka gjetur mbështetjen e Perëndimit, si një masë për të ndaluar valën e migrantëve.

Megjithatë autoritetet polake janë kritikuar për shtyrjen e emigrantëve përtej kufirit dhe moslejimin e tyre për të aplikuar për azil.

Zyrtarët polakë kanë akuzuar Rusinë se mban njëfarë përgjegjësie për krizën në kufi, duke pasur parasysh aleancën e Moskës me Minskun, gjë që qeveria ruse e ka hedhur poshtë. Verifikimi i zhvillimeve të sotme në kufi në mënyrë të pavarur është i pamundur për shkak të një gjendje të jashtëzakonshme në vendosur në Poloni, e cila po i mban gazetarët dhe punonjësit e të drejtave të njeriut jashtë zonës kufitare.

Situata shënon një përshkallëzim të krizës në kufi, ku jetët e mijëra emigrantëve ndodhen në rrezik. Migratët kanë bërë disa herë përpjekje për të kaluar kufirin. Ata shpresojnë ende në zgjidhje për situatën në të cilën ndodhen.

“A mendoni se Bjellorusia u ka dhënë shpresa të kota”, pyet gazetarja disa prej tyre.

“Nuk e di, jemi duke pritur. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, thotë Mohammed Latif, një migrant kurdo-irakian.

“Bashkimi Evropian po punon çdo ditë për të zgjidhur problemet tona, për të na lënë që të hyjmë. Ata po e nxisin qeverinë polake të hapë portat”, thotë Abdullah Najih, një tjetër migrant kurdo- irakian.

Bashkimi Evropian ka akuzuar Presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko se po i përdor migrantët si mjet për një “sulm hibrid” apo në disa fronte kundër bllokut, duke u hakmarrë për vendosjen e sanksioneve ndaj qeverisë autoritare pas goditjes brutale të zërave kundërshtarë brenda vendit. Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritet me Poloninë, e cila po ruan kufirin e jashtëm të bllokut.

“Ajo që po shohim është një operacion I orkestruar shumë mirë nga regjimi bjellorus, që po përdor si armë çështjen e migracionit. Kjo është një lojë shumë cinike e zoti Lukashenko i cili po përpiqet të na detyrojë ne, Bashkimin Evropian, e vende të tjera perëndimore, ta pranojmë atë si president të vendit, pas zgjedhjesh të manipuluara”, thotë zëvendës ministri i Jashtëm i Polonisë Marcin Przydacz.

Kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë janë gjithashtu kufijtë lindorë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.Ndërkohë, zyrtarët lituanezë njoftuan për një numër përpjekjesh në rritje të emigrantëve për të hyrë në territorin e këtij vendi, nëpërmjet Bjellorusisë. Blloku evropian, ka vendosur tashmë katër grupe sanksionesh ndaj autoriteteve dhe zyrtarëve të lartë bjellorusë dhe po përgatit një grup të ri të pestë të sanksionesh ndaj ketij vendi./ VoA

Leave a Reply