Përplasje mes policëve dhe studentëve në disa universitete në SHBA

Mbi 300 të arrestuar, policia çliron universitete e zaptuara nga studentët pro-palestinezë

Protestuesit në disa universitete amerikane janë përleshur me policinë, ndërsa demonstratat për konfliktin në Gaza vazhdojnë.

Përleshjet mes policisë dhe protestuesve kanë shpërthyer në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, ndërsa gjatë natës, policia tha se çliroi një ndërtesë në Universitetin Columbia në Nju Jork, e cila ishte pushtuar nga protestuesit pro-palestinezë.

Duke folur në një konferencë shtypi, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams tha se rreth 300 arrestime u bënë në Universitetin Columbia dhe në kolegjin e qytetit të Nju Jorkut pasi oficerët e policisë bastisën kampuset.

Ai shtoi se aktorët e jashtëm ishin përgjegjës për krijimin e asaj që ai e përshkroi si një lëvizje për radikalizimin e të rinjve.

Policia thotë se aksioni në Universitetin e Kolumbias  u organizua për të shpërndarë protestuesit pro-palestinezë që kishin pushtuar ndërtesën pas disa javësh negociatash.

Studentët pretendojnë se ndërhyrja e policisë ishte e ashpër dhe agresive me demonstruesit.

Përleshje të dhunshme janë regjistruar edhe mes studentëve pro-palestinezë dhe atyre pro-izraelitë brenda kampuseve universitare.

Universitetet amerikane janë përfshirë nga protestat për luftën në Gaza, pasi studentët kërkojnë një bojkot të kompanive dhe individëve me lidhje me Izraelin.

Leave a Reply