Përplasje mes Trump dhe demokratëve! Mbyllet qeveria amerikane pas 7 vitesh

Për herë të parë pas shtatë vitesh, qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka hyrë në mbyllje, pasi demokratët dhe republikanët nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët për miratimin e një financimi të përkohshëm. Negociatat disa-javore përfunduan pa rezultat, duke bërë që mijëra punonjës të administratës shtetërore të dërgohen në pushim të detyruar pa pagesë.

Shërbimet thelbësore, si kontrolli i fluturimeve dhe sektorë të tjerë jetikë, do të vijojnë funksionimin, megjithëse edhe punonjësit e tyre nuk do të paguhen gjatë kësaj periudhe. E njëjta situatë vlen për ushtarët dhe civilët në Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Çështjeve të Veteranëve.

Ndërkohë, parqet kombëtare, muzetë dhe institucione të tjera që varen nga fondet federale do të qëndrojnë të hapura pjesërisht duke shfrytëzuar buxhetin e viteve të shkuara, por edhe ato rrezikojnë të mbyllen plotësisht nëse kriza zgjat.

Përjashtim nga kjo situatë bëjnë presidenti Donald Trump dhe anëtarët e Kongresit, të cilët do të vijojnë të marrin pagat e tyre, bazuar në mbrojtjet kushtetuese.

Mbyllja aktuale është e para që prej vitit 2018, kur administrata amerikane qëndroi e bllokuar për 35 ditë periudha më e gjatë në historinë e vendit.

Përplasjet politike kanë thelluar krizën: demokratët fajësojnë republikanët, të cilët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dyja dhomat e Kongresit, ndërsa republikanët përpiqen të hedhin përgjegjësinë mbi kundërshtarët e tyre. Për miratimin e një plani financiar të përkohshëm në Senat kërkohen 60 vota; republikanët kanë vetëm 53, duke pasur nevojë edhe për shtatë vota demokratësh që të zgjidhin bllokimin.

Leave a Reply