Rekorde negative vendosen në Britani dhe Gjermani
Pas disa ditësh rënieje të vazhdueshme, shifrat e pandemisë në gjithë botën u rritën sërish këtë 24 orësh. Vdekjet ditore shënuan një nivel tjetër problematik pranë rekordeve me mbi 14 700 raste.
Britania e Madhe shënoi një rekord negativ të ri prej mbi 1600 rastesh, një tjetër këmbanë alarmi për pamundësinë e spitaleve për të përballuar dyndjen e pacientëve. Megjithatë shpresëdhënës është numri i infektimeve ditore që vazhdon të reduktohet, një tjetër tregues se përhapja e variantit me origjinë vendase të koronavirusit është nën kontroll.
Shifër vdekjesh pranë rekordeve negative shënoi edhe Gjermania. Këtë të Mërkurë u regjistruan mbi 1 100 viktima dhe rreth 16 mijë infektime ditore, gati 4 mijë më shumë se një ditë më parë. Edhe autoritetet janë të shqetësuara për përhapjen e mutacionit britanik dhe po shqyrtojnë mundësinë e një tjetër ashpërsimi masash deri në ndalim qarkullimi të plotë si Marsin e kaluar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se ky variant është përhapur deri tani në 60 vende të botës. Në përpjekjet për imunizimin e shpejtë të popullsisë, Turqia ka thyer rekord, duke arritur mbi 1 milionë injektime me vaksinën kineze Sinopharm në 7 ditë. Ndërsa Italia ka paralajmëruar procedura ligjore për firmën Pfizer pas vonesave në furnizim me vaksina.