18 milionë kilometra katrorë oqeane pritet të mbrohen nga ndotja dhe ndikimi i njeriut përmes një nisme globale që do të zgjatë 5 vite.
Nisma e quajtur “Aleanca për Natyrën Blu” u krijua të mërkurën nga disa organizata bamirëse dhe synon të punojë me qeveri të ndryshme, me komunitetin, me shkencëtarë dhe akademikë.
Në mbrojtje pritet të merret fillimisht një zonë prej 4,8 milionë km katrorë e ishujve Fixhi, e ujërave përqark Antarktidës dhe një arkipelag i vogël në jug të Oqeanit Atlantik.
Oqeanet përbëjnë më shumë se dy të tretën e sipërfaqes së Tokës dhe cilësia e ujërave të tyre prek edhe njerëzimin, sidomos komunitetet që jetojnë në zonat bregdetare dhe ishullore.
“Oqeani është në krizë. Kërcënimet që has janë të shumta. Oqeanet janë absolutisht thelbësore për shoqërinë dhe ekonominë tonë,” thanë drejtuesit e dy organizatave që iu bashkua nismës së fundit.
Studiuesit thonë se stresi i oqeaneve lidhet me faktin se ndotja nga mbetjet plastike dhe kimike po vret popullata të tëra speciesh detare.
Mbi 640 mijë tonë pajisje peshkimi hidhen çdo vit nëpër oqeane, duke krijuar një problem fatal sidomos për breshkat e detit edhe balenat që jetojnë në Oqeanin Paqësor.
Koralet në fund të oqeaneve po ashtu rrezikohen nga rritja e temperaturës së planetit, ndërkohë që këtë vit Konferenca e OKB-së për Biodiversitetin pritet të miratojnë një rezolutë e cila parashikon mbrojtjen e 30 për qind të zonave bregdetare dhe detare për të pasur një oqean funksional dhe rezistent në të ardhmen.