Po hetonte sulmin terrorist në studion televizive në Ekuador, vritet me breshëri plumbash prokurori

César Suarez u qëllua për vdekje në qytetin port të Guayaquil, provincën Guayas të mërkurën, tha prokurori i përgjithshëm. Nuk është e qartë nëse vdekja e Suarez është e lidhur me hetimin e tij për sulmin në stacionin televiziv.

Javën e kaluar, persona të maskuar hynë në studion e kanalit televiziv publik TC gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë dhe kërcënuan stafin me armë. Pamjet drejtpërdrejt në transmetim treguan gazetarin Jose Luis Calderon duke iu lutur personave të armatosur, ndërsa stafi i stacionit u detyrua të ulej ose të shtrihej në dyshemenë e studios.

Një kameraman u qëllua në këmbë, ndërsa një tjetri u thye krahu gjatë sulmit, tha zëvendësdrejtori i lajmeve në TC. Mediat lokale raportojnë se Suarez u qëllua teksa po ecte me makinë, pranë zyrës së tij. Pamjet e paverifikuara në rrjetet sociale tregojnë një automjet me vrima plumbash në dritare.

Në një intervistë me gazetën El Universo një ditë para vdekjes së tij, Suarez tha se atij nuk i ishte dhënë mbrojtje policore pavarësisht se kishte marrë në pyetje 13 personat e arrestuar pas sulmit në stacionin televiziv. Vrasja e tij është e fundit në një mori incidentesh të dhunshme në të gjithë Ekuadorin, që pas arratisjes së dy liderëve të bandës nga burgu, qindra rojeve të burgut të marrë peng dhe shpërthime në disa qytete.

Presidenti Daniel Noboa shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore dhe urdhëroi ushtrinë të “neutralizonte” 22 grupe të armatosura të cilat ai i ripërcaktoi si organizata terroriste. Duke reaguar ndaj vdekjes së Suarez, Prokurorja e Përgjithshme Diana Salazar tha: “Është e pamundur të mos lëndohesh nga vdekja e një kolegu në luftën kundër krimit të organizuar. Ne do të qëndrojmë të vendosur në emrin e tij, për të, për vendin, për drejtësinë. Faleminderit për punën tënde, César. Pusho në paqe“, shkroi ajo në X.

Leave a Reply