Absurde shqiptare
Libraria ADRION e Tiranës refuzon në mënyrë “më kulturore” librat e autorëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë
Nga Shkëlzen Halimi
Këto ditë, një botues serioz nga Maqedonia e Veriut, paska shpërndarë libra nëpër librari të ndryshëm në Kosovë e në Shqipëri. Ideja e botuesit ishte që, të shpërndahen librat, qoftë kjo edhe falas, në dëm të botuesit, vetëm të shpërndahen, të lexohen, të vihen nëpër raftet e bibliotekave shtëpiake.
Askund nuk janë refuzuar ekzemplarët që janë shpërndarë falas nëpër librari, me përjashtim të Librarisë ADRION në Tiranë! Pronarja (apo shitësja) e librarisë është shprehur: “Na i lini nga një ekzemplar dhe, pasi t’i lexojmë, d t’ju themi nëse jemi të interesuar për këta libra apo jo”! Thjesht, e kishte thënë këtë sa për t’i refuzuar në mënyrë “më kulturore”!
Pse e ka bërë kjo shitëse këtë veprim? Sepse nuk ishin libra të Goran Bregoviqit? Të Ivo Andriqit? Të Çubriloviqit? Por, libra shqip, të autorëve shqiptar, krijues shqiptar nga Maqedonia e Veriut e diaspora, të respektuar e të përkthyer në disa gjuhë botërore. Pikërisht këta krijues refuzohen! Zonjës i duhet t’i lexojë së pari e pastaj t’i paraqitet botuesit e t’i thotë nëse ka vend për ata libra në librarinë e saj! Çfarë ofendimi! Çarë hipokrizie! Çfarë demagogjie!
Ajo në Librarinë e vet me siguri ndoshta ka më shumë se 1000 tituj! Thua që t’i ketë lexua të gjithë? Për hir të vërtetës duhet thënë se në këtë Librari ka libra, të cilët as që ia vlen të quhen libra! Mbase i ka lexuar edhe këta libra. Ndryshe, si mund të shpjegohet që në përgjigjen e shkurtër janë një duzinë gabimesh gramatikore, morfologjike e sintaksore. Dhe, ky biçim shitësi të vlerësojë nëse janë librat për t’u shitur prej saj apo jo! Jo, kjo sjellje është vetëm një refleks shpirtëror i ngjizur përplot urrejtje kundër librit shqip që vjen nga autorët shqiptar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, madje edhe nga diaspora! Është injorim i stisur nga qëndrimet politike, e indoktrinuar deri në palcë kundër krijimeve shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë! Është politikë idiotësie kundër bashkimit shpirtëror të krijuesve shqiptar anekënd trojeve etnike dhe viseve ku jetojnë e krijojnë!
Nëse shteti, respektivisht Ministria shqiptare e Kulturës, nuk ka buxhet për t’ia arritur këtij bashkimi sa më gjithëpërfshirës shpirtëror, të paktën, “të edukohen”e të urdhërohen institucionet nacionale kulturore që të hapen e të pranojnë vepra nga krijuesit shqiptarë (të të gjitha sferave të artit) jashtë Shqipërisë aktual, të cilat ofrohen falas, vetëm për ta kompletuar mozaikun kulturor gjithëshqiptar! Pa përfshirjen e krijimtarisë artistike të “diasporës”, vetëm arti shqiptar nuk shpreh asgjë tjetër përveçse një “kulturë” cung, pa gjymtyrë, pa gojë, pa sy, pa veshë…
Le të jetë sjellja e shitëses (apo pronares) së Librarisë ADRION një reflektim për Qeverinë Shqiptare, për atë të Kosovës, për subjektet politike shqiptare të viseve etnike dhe të ndërmerren iniciativa serioze, refuzimi i të cilave duhet të sanksionohet me heqjen e të drejtës për t’u marrë me aktivitete kulturore-artistike kombëtare, përfshi edhe shitjen e librit! Mos-reagimi ndaj kësaj shitëse nënkupton pajtim me diskriminim kulturor kundër të gjithë atyre shqiptarëve që janë jashtë kufijve të Shqipërisë aktuale; është angazhim për ndarje sa më të theksuar, ndërkohë që krijuesit shqiptarë angazhohen për një unifikim të vlerave kombëtare, për një bashkim e shkrirje, sepse kështu duhet të ndodhë.
Në krijimtarinë e përgjithshme artistike, shundi dhe kiçi janë vlera në krahasim me snobizmin, diletantizmin dhe sharlatanizmin “kulturor”! Aty ku funksionojnë pa problem këta “izma kulturorë”, aty është në rrezik të madh kultura kombëtare!