Policia e Kosovës arreston dy persona, konfiskon rreth 6 kilogramë heroinë

Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve se në një lokacion të dyshuar në Ferizaj ka substancë narkotike, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për gjetjen e substancës së dyshuar si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave që ndërlidhen me rastin.

Policia e Kosovës të enjten pas një pune operative dhe hetimore mbi sigurimin e informatave dhe me urdhër verbal të prokurorit kompetent, Policia e Kosovës ka bërë kontrollimin e një shtëpie dhe objekteve të tjera përcjellëse, ku gjatë këtij kontrolli është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “Heroinë” me peshë prej 5kg e 529gr.

Në lidhje me rastin është bërë arrestimi i personit të dyshuar S. A. i cili dyshohet se e ka pasur nën posedim substancën e dyshuar narkotike.

“Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe janë tërhequr nga vendi i ngjarjes nga njësiti i Krim-Teknikës së Regjionit të Ferizajit.   Po ashtu, në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin është bërë identifikimi dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar A. E. shtetas i Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Po ashtu janë konfiskuar 1 veturë, 4 katër telefona celularë, 560 franga, 120 euro.

Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit dërgohen në qendër të ndalimit për 48 orë. /Telegrafi/

Leave a Reply