Politico: Vera e fundit e Europës përpara Dimrit të Rusisë

Analizë nga Politico – Përshtatur nga tvklan.al

Merrni sa më shumë rrezet e Verës, një dimër i madh rus po shkon drejt Europës.

Edhe pse luftimet vazhdojnë në Ukrainë, lufta po ndihet në të gjithë kontinentin në formën e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe frikës për mungesën e gazit e shqetësimeve për ekonominë.

Presidenti rus Vladimir Putin po tregon gatishmëri për të përdorur ushqimin dhe karburantin si armë lufte kundër demokracive perëndimore që po armatosin Ukrainën dhe po i vendosin sanksione Moskës, gjërat mund të përkeqësohen më shpejt.

“Ishin dimrat e ashpër rusë që ndaluan Napoleonin. Ishin dimrat e ashpër rusë në 1941 që ndaluan Hitlerin. Tani ideja e Putinit është ta bëjë dimrin e ashpër brenda Europës”, thotë studiuesi i politikës Ivan Krastev.

Ekspertët parashikojnë se qeveritë evropiane do të jenë nën presionin e votuesve më të varfër dhe më të uritur. Shtoji kësaj edhe një fluks të mundshëm të refugjatëve, vala e të nxehtit që ka tharë një pjesë të tokës bujqësore të Europës dhe rrezikun e infeksioneve të reja me Covid-19, nuk është çudi që disa persona po pyesin se sa jetëgjatësi do të kenë qeveritë perëndimore.

“Do të shikoni më shumë presion për europianët që do të thonë lufta të ndalojë tani”, shprehet Krastev.

Një sondazh i bërë nga Parlamenti Europian zbuloi se gati 60% e qytetarëve të Bashkimit Europian thanë se nuk janë gati që të përballen me rritje të kostos së ushqimit dhe energjisë.

59% ishin dakord se vlerat evropiane si liria dhe demokracia duhet të jenë prioritet edhe nëse kjo ndikon në koston e jetesës.

Por raporti evidentoi se ky target-grup që mbështet lirinë dhe demokracinë është në pozita të kënaqshme ekonomike.

Pyetja është se deri në çfarë mase janë të përgatitura qeveritë evropiane për t’i bërë ballë një sulmi ekonomik rus? Rusia ka ndikim të rëndësishëm mbi ekonominë evropiane si eksportuese e madhe e ushqimit, naftës dhe gazit. Tashmë 12 vende të BE-së kanë ndërprerë plotësisht ose pjesërisht furnizimet nga gazi rus. Këtë javë Rusia mbylli edhe gazësjellësin Nord Stream 1 që furnizon me gaz Gjermaninë, si dhe Francën, Italinë e Austrinë.

Në Gjermani kanë përgatitur plane emergjente për gazin, që mund të diktojnë se cilat kompanive do t’u ndërpritet më parë furnizimi. Ndërsa autoritetet lokale nuk po ndezin dritat e rrugëve.

BE ka miratuar rregulla të reja, duke u kërkuar vendeve anëtare që të grumbullojnë gazin për dimër, me rezerva që aktualisht shkojnë në 62%.

Në rast të një ndërprerje ruse të furnizimit me gaz, qeveritë ka të ngjarë që të ndërpresin sektorët jo thelbësorë si sektori i automjeteve, duke u pasuar nga industri të tjera, më pas shërbimet sociale dhe në fund ngrohja nëpër banesa, sipas analistit Simone Tagliapietra.

Presioni rus nuk mund të vinte në një kohë më të keqe për kontinentin. Europa është ende e tronditur nga efektet e pandemisë, me mbylljet që shkaktuan tronditje në ekonominë globale

Një tjetër efekt zbutës pritet nga Banka Europiane Qëndrore që po përgatitet të rrisë normat e interesit javën e ardhshme për të luftuar inflacionin e eurozonës.

Shenjat e ngadalësimit ekonomik janë të dukshme. Sektori i shërbimeve është ngadalësuar. Komisioni Europian këmbëngul se BE-ja mund të shmangë recesionin, por ekonomisti Chris Ëilliamson pranon se rritja ekonomike është e brishtë. Por një bllokim total i furnizimit me gaz ka të ngjarë që ta shyjë unionin drejt recesionit.

Ofensiva e Rusisë për ushqimin dhe karburantin parashikon kohë të vështira. Komisioni Europian ka theksuar rëndësinë për të kursyer energji në çdo aspekt të jetës së përditshme. Por thekson se përgjegjësia është mbi qeveritë që t’ua kërkojnë këtë gjë qytetarëve të tyre.

Javorcik i BERZH thotë se është e domosdoshme që politikanët të zbusin goditjen në vend që thjesht të ndërmarrin masa të përgjithshme që i ndihmojnë të gjithë në mënyrë të barabartë, si ulja e TVSH-së për ushqimin ose karburantin.

Nëse sulmi i Putinit do të përballohet, atëherë ka të ngjarë që europianët të mësohen që të udhëtojnë më pak, të ushqehen më me kursin dhe të vishen më trashë në vend që të përdorin ngrohjen. Dimri rus, kur të vijë, ka të ngjarë që do të zgjasë.

 

Leave a Reply