Politika austriake nuk gjen qetësi. Pas largimit të Kurz, dorëhiqet edhe Kancelari Schallenberg

Kancelari austriak Alexander Schallenberg deklaroi se do të japë dorëheqjen, më pak se dy muaj pas inaugurimit të tij dhe disa orë pasi paraardhësi i tij i përfshirë nga skandali, Sebastian Kurz, njoftoi largimin nga politika.

Dorëheqja e politikanit konservator Schallenberg paralajmëron trazira të mëtejshme në krye të politikës austriake, dhe në veçanti për Partinë Popullore Austriake konservatore .

“Unë besoj fuqishëm se të dy postet, kreu i qeverisë dhe lideri i partisë duhet të mbahen sërish nga i njëjti person. Prandaj po e vë në dispozicion postin tim si kancelar sapo të jetë vendosur kursi përkatës brenda partisë”, tha Schallenberg në një deklaratë me shkrim.

Mediat austriake kanë paralajmëruar se një kandidat i mundshëm për këtë është ministri i Brendshëm Karl  Nehammer.

Ministri i Jashtëm Schallenberg u bë kancelar austriak më 11 Tetor pas dorëheqjes së Kurz.

Kurz, i dyshuar për korrupsion tha se do të japë dorëheqjen si kreu i partisë dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, duke deklaruar kështu tërheqjen nga politika.

35-vjeçari po hetohet nga Prokuroria Publike për Çështjet Ekonomike dhe Korrupsionin. Ai dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë dyshohen nga prokuroria se kanë publikuar në media sondazhe të manipuluara.

Për këtë qëllim thuhet se janë shpërdorur fonde publike por Kurz i mohon këto  akuza. Në mesin e Nëntorit, parlamenti austriak votoi për heqjen e imunitetit të ish-Kancelarit.

Leave a Reply