Politikat hileqare mbi identitetin kulturor

Letër nga Shkupi

Cili është legjislacioni i Maqedonisë së Veriut që menaxhon artin dhe kulturën në këtë shtet? Cilës kulturë i dedikohet ky legjislacion, me të cilin administrohen institucionet nacionale, publike e private të kulturës? Natyrisht, i tërë Ligji për Kulturë i Maqedonisë së Veriut në mënyrë perfide i ikë përcaktimit nacional, në aparencë është “shumë” qytetëruese, është universale, por ja që në pikën 6 të Nenit 8 të Kapitullit të tretë (1998) “tradhtohet” dhe del lakuriq për sa i përket përkatësisë identitare kulturore. Kjo pikë thotë se Ligji në fjalë i dedikohet edhe pakicës maqedonase dhe mërgimtarëve që jetojnë jashtë territorit të RMV-së, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike! Termi “pakicë maqedonase” nënkupton përkatësinë etnike maqedonase dhe nën këtë term politik askush nuk ka të drejtë ta përfshijë edhe mërgatën shqiptare nga Maqedonia e Veriut që jeton dhe vepron në shtetet e ndryshme perëndimore, e që i përket etnitetit shqiptar!
Së këndejmi, bazuar edhe në shumë fakte si dhe në realitetin aktual, ky ligj është enkas për kulturën maqedonase, pavarësisht se ky ligj thotë se garanton kushte të barabarta për kultivimin dhe afirmimin e identitetit kulturor të bashkësive etnike në RMV! Për çfarë kushte të barabarta flet ky ligj kur dihet se në Maqedoni funksionojnë dhjetëra institucione nacionale, qindra institucione publike e lokale nga fusha e kulturës që përforcojnë dhe zhvillojnë ekskluzivisht identitetin kulturor maqedonas. Shqiptarët mezi i kanë nja 5-6 institucione nacionale të themeluara në dekadën e fundit, nja 4-5 institucione kulturore lokale si dhe nja 3-4 festivale private!
Ky ligj do të kishte kuptim vetëm nëse do ta gjeneronte edhe nënligjin tjetër dedikuar kulturës shqiptare si dhe të bashkësive të tjera etnike. Në kuadër të qeverisë detyrimisht duhet të themelohet dhe të funksionojë (deri në një barazi të plotë kulturore) një drejtori, agjenci apo sekretariat qeveritar ekskluzivisht për kulturën shqiptare! Një dikaster i tillë do të ngriste iniciativa për themelime të institucioneve të nevojshme nacionale, me kompetencë e me profesionalizëm do t’i shqyrtonte të gjitha kërkesat e institucioneve kulturore të të gjitha niveleve, të artistëve dhe krijuesve shqiptarë. Të gjitha projektet që do t’i kalonte ky dikaster do t’i bashkëngjiteshin rezultatit përfundimtar nga konkursi vjetor i Ministrisë së Kulturës, me ç’rast do të formohej buxheti i nevojshëm për këtë ministri, i cili do t’i dorëzohej qeverisë para se të hartonte buxhetin vjetor! Ky dikaster qeveritar për Kulturën Shqiptare do të inicionte themelim të institucioneve kulturore shqiptare të cilat do të nxirreshin në Parlament për të kaluar me shumicë të thjeshtë (nga deputetet e koalicionit qeveritar). Pranimi ose refuzimi i këtyre kërkesave dhe i buxhetit të përcaktuar nga dikasteri, do të siguronte funksionim stabil të qeverisë, ose do të detyronte në një kërkim të një qeverie tjetër më sensitiv për sa përket të drejtave kulturore për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Natyrisht, për një qeveri stabile të varur nga të drejtat kulturore do të duhej të kontribuonte edhe faktori ndërkombëtar! Dy dekada e gjysmë më parë, pushteti maqedonas vrau e përndjeki, plagosi e burgosi shqiptarë vetëm pse kërkonin arsimim superior në gjuhën shqipe. Pas kësaj iniciative, deri në ndërhyrje të ndërkombëtarëve duke kërkuar të drejta dhe liri në arsim sipëror edhe për shqiptarët e MV-së, madje edhe duke intervenuar financiarisht, pushteti maqedonas thoshte se kjo iniciativë mund të jetë vetëm “dëshirë fëmijësh”, ndërsa sot ta pranojë si universitet shtetëror dhe ta financojë pa problem. Kështu do të refuzohet edhe iniciativa për institucionalizimin e kulturës shqiptare, por në një këmbëngulje kombëtare të të gjithë subjekteve relevante shqiptare të vendit, ky problem do të tejkalohej në të mirë të identitetit tonë kulturor. Këtë nuk mund ta bëjnë militantët dhe funksionarët partiakë, këtë mund ta bëjnë vetëm profesionistët nga të gjitha fushat e kulturës që do të funksiononin nën çatinë e një dikasteri qeveritar për kulturën shqiptare! Nëse strukturat nacionaliste maqedonase mendojnë se me një ligj të tillë synohet dublimi i ligjit ekzistues apo edhe “federalizimi kulturor” i Maqedonisë së Veriut, atëherë le të themelohet një ligj për institucionet kulturore shqiptare në RMV, si kapitull më vete i ligjit ekzistues. Gjithashtu, do të duhej të ishte nën ingerenca të këtij dikasteri qeveritar hartimi i strategjisë nacionale për kulturë të shqiptarëve të MV-së, e cila do të përfshihej, qoftë edhe si aneks, në kuadër të Strategjisë për zhvillim të kulturës në RMV! Është tërësisht i pakuptimtë edhe ligji, edhe strategjia nacionale, edhe politikat qeveritare e institucionale që janë “universale”, për të gjithë komunitetet në vend, ndërsa buxheti në masë prej 90 për qind shkon në të mirë të zhvillimit dhe avancimit të identitetit kulturor maqedonas. U mor vesh, kemi të bëjmë me një ligj dhe me politika nacionale hileqare në raport me shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike që jetojnë në RMV! /HEJZA/

Leave a Reply