Pistoleta tip TT me të cilën vrasësi portugez, Ruben Saraiva kreu ekzekutimin e Ardian Nikulajt më 19 Prill, nuk është gjetur ende nga policia.
E konsideruar si provë e rëndësishme në këtë ngjarje, ajo është edhe prova e fundit për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Uniformat blu po ushtrojnë kontrolle ne disa zona. Në operacion janë të përfshirë dhe polumbarët e RENEA-s pasi ka dyshime se arma e krimit, të jetë hedhur nga vrasësi portugez në lumin Drin.
Te tjera kontrolle po kryhen në fshatin Kakarriq, në afërsi të banesës së Edmond Haxhias, të dyshuar si organizator të ngjarjes.
Një ditë më parë ne Drin, rreth 100 metra larg banesës së Edmond Haxhias u gjet dhe motori i përdorur në krim.
Sipas policisë fshati Kakarriq, ka qënë baza kryesore ku eshte pergatitur vrasja. Provat e gjetura faktojne se aty Edmond Haxhia ka qëndruar së bashku me portugezin Ruben Saraiva.
Këto prova përkojnë me dëshminë e dhënë nga një vajzë që kishte lidhje me Haxhian, dokumentet e identifikimit të së cilës ai i kishte përdorur edhe për të blerë motorin.
Pas dokumentimit të të gjitha provave, Prokuroria do të përgatisë letër-porositë për t’i dërguar në Portugali dhe Angli, për kapjen dhe ekstradimin e vrasësit dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij britanikë, të cilët qëndruan në hotelin e viktimës për të vëzhguar lëvizjet e tij dhe për të informuar portugezin që e ekzekutoi.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë së hotelit, të siguruara nga Tv Klan, tregojnë se si ata ishin familjarizuar edhe me punonjësit e hotelit me qëllim që të mos binin në sy për misionin që kishin marrë.