Posta Shqiptare njofton se do të bëjë koordinimin e duhur që të gjitha mjetet e shërbimit postar të vihen në dispozicion për të transportuar ndihmat për të prekurit nga kjo fatkeqësi.
“Të dashur miq, kolegë, postierë, përpunues, të dashur të gjithë ju punonjës të Posta Shqiptare. Ne shpeshherë me krenari themi që jemi kompania që ka kontaktin më të madh me njerëzit dhe se nuk ka asnjë shqiptar të cilit Posta Shqiptare dhe stafi i saj nuk i ka shërbyer.
Pikërisht, pse jemi kaq ta afërt me ta dhe në kontakt të vazhdueshëm, besoj se ne e ndjejmë edhe më shumë se të gjithë dhimbjen që kjo fatkeqësi i ka shkaktuar kombit dhe vendit tonë, ashtu si jam i sigurt se ne, më shumë se kushdo tjetër do të jemi në radhë të parë për të ofruar dashuri, përkushtim e ndihmë për të prekurit nga fatkeqësia natyrore.
Në këto momente ata kanë nevojë për dashuri dhe mbështetje më shumë se kurrë.
Gjej rastin të vlerësoj shumë nismën e filialeve për t’u solidarizuar dhe për të ofruar ndihmë si dhe reagimin tuaj mbështetës. Mendoj që kemi ende më shumë dashuri për të dhënë.
Në çdo filial, degë, qytet, jeni të lutur të koordinoheni me institucionet e tjera dhe popullatën për të grupuar ndihmat në vendet e përcaktuara”, – citon në njoftimin e saj Posta Shqiptare.