Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë dje pjesë në konferencën shkencore kushtuar 25 vjetorit të revistës “Drita Islame” në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të shumtë. Presidenti e ka dekoruar revistën me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin: “Për kontributin e saj të shquar në zgjimin e ndërgjegjes fetare e kombëtare, me anë të promovimit të atdhedashurisë, harmonisë, mirëkuptimit, kulturës e vlerave humane të besimit islam në mbarë kombin shqiptar”.
Në fjalën e tij kreu i shtetit ka nënvizuar tolerancën e dëshmuar nga myslimanët shqiptarë, pjesë e të cilës është edhe revista në fjalë, që pranuan dhe kontribuuan për një Shqipëri laike, që në konceptimin e saj.
Është meritë e padiskutueshme e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që shteti i ideuar nga Rilindja Kombëtare lindi qysh në fillim si një shtet laik, i barabartë për çdo pjesëtar të çdo feje të popullit tonë. Duke u kapur pas kësaj qasjeje, krerët e këtij besimi të shumicës së popullsisë shpalosën një vision largpamës për të ardhmen e veprimtarisë së tyre fetare, tha presidenti.
Sipas presidentit të Republikës, aktet e pavarësimit fetar janë të dyta për nga rëndësia pas Shpalljes së Pavarësisë.
Pas pavarësisë kombëtare, pavarësia fetare është kolona e dytë e lirisë së vendit. Duke ngritur këtë kolonë të re në kantierin e sapohapur të ndërtimit të shtetit, myslimanët e Shqipërisë i shtuan edhe një faqe të re librit të tyre të lartësive e të mirëkuptimit me vëllezërit e tyre të besimit të krishterë. Kongresi i vitit 1922 i Autoqefalisë Ortodokse dhe ai i vitit 1923 i mëvetësisë myslimane janë dy forume të shenjta që mbetën përherë në piedestalin e kujtesës sonë. Me ato dy kongrese anëtarët e dy grupeve më të mëdha fetare vunë kombëtaren mbi universalen duke kërkuar qeverisje të pavarur, shtoi Nishani.
Duke prekur shkurtimisht edhe periudhën e komunizmit në Shqipëri, që u shoqëuar me ndalimin e fesë, presidenti ka deklaruar se komuniteti mysliman, si shumicë, ishte më i godituri.
Komuniteti Mysliman, si grupimi më i madh fetar në territorin tonë, padyshim që u finalizua me dëmtimin më të madh se askush deri në atë çast u shkëput lidhja zyrtare me çdo pikë kontakti që i takonte sferës së sublimes. Disa prej xhamive të atëhershme madhështore u rrafshuan pa asnjë kthim pas. Të njëjtin fat patën edhe disa institucione të hijshme edhe të besimeve të tjera” tha presidenti që ka vlerësuar edhe vlerat e dëshmuara gjatë këtyre viteve të fundit që njohën ngritjen e dogmave radikale.