Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është kthyer në Kosovë, pas vizitave që pati jashtë vendit.
Ajo ka thënë se është kthyer në Kosovë me bindjen e plotë se Kosova është në rrugë të drejtë.
“Pas një jave përplot takime e diskutime me miq e aleatë të rinj e të vjetër, kthehemi në vendlindje me bindjen e plotë se Kosova është në rrugë të drejtë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Presidentja e Kosovës disa ditë qëndroi në New York ku zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në margjina të këtyre punimeve Osmani është takuar edhe me presidentin e SHBA-së Joe Biden, pastaj sekretarin amerikan Blinken.
Osmani ka takuar edhe nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare.