Krushk në manifestim dasmor

Midis nesh

Organizimi i aktiviteteve të ndryshme letrare, qoftë në nivel mëhallësh, lokal, kombëtar e ndërkombëtar, janë evente shumë të mirëpritura dhe që duhet të gëzojnë përkrahje të gjithanshme. Nuk ka asgjë të keqe që të takohen krijuesit, të kalojnë çaste të këndshme letrare, të njoftohen e të njihen në mes vete, të arrijnë marrëveshje për botime, përkthime reciproke, të këmbejnë përvoja organizative etj.
Megjithatë, janë edhe disa manifestime e festivale letrare, të karakterit të institucionit nacional, të cilët i nënshtrohen një protokolli, një rregulle të organizimit institucional, një organizimi reprezentativ, ku spikat përfaqësimi i krijimit letrar kombëtare: proza shqiptare, poezia shqiptare, drama shqiptare etj. Si ia bëjnë organizatorët e këtyre eventeve institucionale që të arrihet përfshirja dhe prezantimi i një krijimtarie letrare të një populli kudo qoftë ai? Bëhet në bazë të preferencave miqësore, të propozimit individual nga ndonjë anëtar komisioni, i cili “të ftuarin” ose mund ta ketë kushëri, ose mund të ketë kaluar me të ndonjë natë me raki e feferona, apo mund të jetë i të njëjtit “klub misterioz” të krijuesve që parapëlqejnë net të gjata nën recitimin patetik të krijimeve të veta! Ftohen si krushqia në një drekë dasmore?
Organizatat letrare si institucion nacional që organizojnë manifestime apo festivale letrare me karakter ndërkombëtar, pa dyshim që do t’i drejtohen me ftesë institucionit sivëlla, i cili, në afatin e duhur i përgjigjet duke ia dërguar emrin apo emrat e krijuesve të cilët në festival do ta prezantojnë, për shembull, poezinë shqiptare që krijohet në Kosovë apo në Shqipëri! Po ajo poezi e mrekullueshme (madje edhe e paarritshme!) që krijohet nga poetët në diasporë? Po poezia shqiptare që krijohet në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e në Luginën Preshevës?! Këta poetë nuk aderojnë në asnjë asociacion shtetëror të shkrimtarëve! Shkrimtarët shqiptarë të viseve etnike nuk aderojnë në asnjë shoqatë shkrimtarësh, madje nuk janë të përfshirë as në ato asociacione nacionale të kombit të vet! Shkrimtarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nuk mund të aderojnë (!) as në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës e as në atë të Shqipërisë. Madje, refuzojnë kategorikisht të përfshihen edhe në atë të Maqedonisë së Veriut, sepse aty urrehen, nuk pranohen për krijues, për më tepër, me plotë të drejtë, llogariten shkrimtarë të huaj dhe nuk kanë se çfarë të kërkojnë në shoqatën e shkrimtarëve maqedonas, apo ata të Luginës në shoqatën e shkrimtarëve serbë, apo shkrimtarët e diasporës të aderojnë nëpër shoqatat kombëtare të shkrimtarëve të shteteve të Evropës.
Po ja që, herë pas here po vërejmë se po marrin pjesë! Bie fjala, në “Netët e poezisë strugane” përfshihen poetët shqiptarë të vendit! Se kush i përzgjedh këta poetë, se çfarë përfaqësojnë këta poetë, se mbi çfarë kriteresh përfshihen këta shkrimtarë, këtë mund ta dinë vetëm ata që janë në gjendje ta ndihmojnë politikisht organizatorin, i cili ka nevojë për një përshtypje provizore dhe artificiale të “multi-kultit”! Po organizatorët letrar institucional të Shqipërisë dhe Kosovës, kujt i drejtohen në viset etnike si dhe në diasporë për të përfshirë në evente kombëtare e ndërkombëtare krijues që denjësisht përfaqësojnë krijimtarinë letrare të viseve përkatëse? Apo kjo bëhet sipas preferencave të organizatorëve! Nëse ndodhë kështu, atëherë nuk guxojmë të mashtrojmë se në manifestim patëm përfaqësues të krijuesve të viseve etnike! Krijues që vijnë nga viset etnike po, por jo përfaqësues të krijuesve të viseve etnike!
Problem tjetër është edhe respektimi me integritet i ftesës që vjen nga një organizator ndërkombëtar! Nuk mundet që këtyre ftesave t’i përgjigjemi me noshalancë, duke “deleguar” emra sa për t’i bërë qejfin personit ose për ta shlyer ndonjë borxh ndaj personit, apo sa për ta nënvlerësuar manifestimin! Krijohet përshtypja se për një “delegim” të tillë vendosë vetë kryetari i shoqatës së shkrimtarëve, madje në tavolinën e dëfrimit. Nuk mblidhet komisioni kompetent, prej kritikëve letrarë që i ka kombi, dhe të cilët janë më të thirrur për të përzgjedhur se cili krijues në cilin manifestim ndërkombëtar mund ta prezantojë krijimtarinë letrare të Kosovës, të Shqipërisë, pse jo, edhe të shkrimtarëve të viseve etnike! Madje, ndonëse shumë të vonuar, është më se e nevojshme të ndërhyjnë (edhe me përkrahje politike) në themelimin e institucioneve nacionale për shkrimtarët shqiptarë të viseve etnike si dhe të një formati të “Pen qendrës” për shkrimtarët shqiptarë të diasporës! Sa më të organizuar që të jemi, aq më të vlerësuar do të bëhemi. Monopolizimi i prezantimit dhe përfaqësimit të krijimit letrar e artistik nuk është asgjë tjetër, përveçse skizofreni. /HEJZA/

Leave a Reply