Rusia kërkon të prishë Samitin e Paqes, thotë Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se Rusia ka hartuar një plan konkret për të prishur Samitin Global të Paqes që do të mbahet në Zvicër në qershor.

Zelensky foli në një takim me përfaqësues nga shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare me bazë në Ukrainë, si dhe diplomatë ukrainas, transmeton Ukrinform.

“Ne kemi informacione të sakta, të dhëna specifike – se Rusia jo vetëm dëshiron të prishë Samitin e Paqes, por gjithashtu ka një plan specifik se si ta bëjë këtë, si të zvogëlojë numrin e vendeve pjesëmarrëse, si të veprojë në mënyrë që të mos ketë paqe… Dhe së bashku ne duhet ta kundërshtojmë këtë, ne duhet të punojmë në unitet për një paqe të drejtë”, citohet të ketë thënë Zelensky.

Sipas tij, të gjithë janë njëlloj të interesuar për të detyruar Rusinë për paqen dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.

“Shumica e botës është në gjendje ta sigurojë këtë”, beson Zelensky, duke shtuar se Samiti Global i Paqes në Zvicër i jep komunitetit ndërkombëtar një shans real për një paqe të drejtë dhe rivendosje të efektivitetit të ligjit ndërkombëtar.

Siç raporton Ukrinform, duke iu referuar Volodymyr Zelensky, Samiti Global i Paqes mund dhe duhet të dëshmojë se asnjë person i vetëm nuk do të përcaktojë se si duhet të jetojnë të gjithë të tjerët në botë, përveç shumicës botërore – bashkërisht dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

Leave a Reply