Price falënderoi Turqinë për mbështetjen në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price falënderoi Turqinë për mbështetjen në lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit.

Price, në konferencën për shtyp që mbajti në Departament, u pyet për lajmet në lidhje me bisedën e talibanëve me Turqinë mbi funksionimin e aeroportit të Kabulit dhe deklaroi se Turqia dha kontribut shumë pozitiv në këtë proces, pa hyrë në detajet e përmbajtjes së lajmit.

“Turqit kanë luajtur një rol konstruktiv në aeroport deri më tani. Kjo ishte një nga çështjet e trajtuara midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ne jemi mirënjohës për rolin e luajtur nga turqit në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”. Presidenti Erdogan gjithashtu ka bërë disa deklarata publike mbi këtë temë, por unë le ta përfundoj këtu”, tha zëdhënësi amerikan.

Ai vlerësoi edhe situatën e fundit në Afganistan dhe procesin e evakuimit në vazhdim.

Pyetjes për çështjen nëse do t’i njohin talibanët si administratë legjitime të Afganistanit, ai deklaroi se ata do të ndërmarrin hapa së bashku me partnerët ndërkombëtarë, bazuar në “vepra, jo fjalë”. Price deklaroi se ata janë në komunikim të ngushtë dhe të menjëhershëm me talibanët dhe se ata kanë shtuar të gjitha masat e sigurisë për të parandaluar çdo sulm të mëtejshëm.

Duke vënë në dukje se ata vazhduan negociatat për një mision diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mund të vazhdonte të vepronte në Afganistan edhe pas 31 gushtit, Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Price theksoi se ata donin të vazhdonin praninë e tyre diplomatike në këtë vend edhe pas kësaj date.

I pyetur nëse u besojnë talibanëve, Price tha: “Nuk është çështje besimi, është çështje interesash reciproke”.

Duke theksuar se nuk është e mundur që ata të japin një përgjigje të qartë sot për njohjen e talibanëve, Price tha: “Këtyre pyetjeve nuk do t’u përgjigjemi sot. Ne kemi dëgjuar disa deklarata pozitive dhe disa konstruktive nga talibanët, por në fund të ditës, ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të shikojmë veprimet, jo fjalët”. Në këtë mënyrë ai ndezi një dritë jeshile për njohjen në të ardhmen në mënyrë diplomatike të talibanëve.

Kurse çështjes nëse Amerika ka një vendim ose pozicion se si të administrohet Aeroporti “Hamid Karzai” në Kabul pas 31 gushtit, Price iu përgjigj duke thënë: “është në interesin e të gjithëve që Aeroporti i Kabulit të jetë i hapur dhe funksional, por do të jenë afganët ata që do të vendosin dhe jo ne.”

Leave a Reply