Prishtina: Hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”

Në seancën e fundit gjyqësore për ngjarjet e majit të kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku 29 persona akuzohen për veprën penale terrorizëm, është ngritur dyshimi se 5 persona nga ky grup janë ekzekutuar pasi iu dorëzuan policisë. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala deklaroi se për të pasur një pasqyrë të saktë të asaj se çfarë ka ndodhur në Kumanovë duhet bërë një hetim ndërkombëtar nga organizatat për të drejtat e njeriut. Shala ka theksuar se mospublikimi i analizave të obduksionit të trupave të të vrarëve e bën procesin edhe më misterioz.

“Në qoftë se do të bëhej një raporti i obduksionit korrekt, atëherë do të largoheshin dilemat nëse dikush është vra gjatë luftimeve apo pasi është dorëzuar. Duket se ka këtu shkelje dhe për këtë arsye ka pasur hezitime edhe për raportin, sikur që krejt ky proces është i mbështjellë me një vello misterioze dhe ku gjërat nuk po qartësohen. Thjeshtë është krijuar një perde tymi e cila ende po mban situatën të paqartë”, u shpreh Behxhet Shala, kryetar i KMLDNJ. Ai nga autoritetet e Kosovës ka kërkuar të ndërmarrin aktivitete konkrete, pasi shumica e të arrestuarve janë shtetas të Kosovës.

“Kemi shumë burime të informatave, me të cilat vërtetohet se gjykimi ndaj tyre nuk është i paanshëm, nuk është fer sepse ata edhe kur të sillen në Gjykatë i nënshtrohen dhunës fizike. Thjeshtë, shteti i Kosovës duhet të jenë më i pranishëm në këtë gjykim. Duhet të kërkojë në bazë të konventave ndërkombëtare që të bëhet një gjykim i drejtë për të akuzuarit që janë shtetas të Kosovës”, tha Behxhet Shala.

 

Leave a Reply