Të paktën 18 persona, kryesisht nxënës të shkollës së mesme, kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti rrugor në rrugën nacionale Drenas-Prishtinë, mëngjesin e së hënës.
Personat e lënduar po udhëtonin me furgon, kur në të njëjtën korsi ka hyrë një maune, e cila e ka goditur automjetin e tyre.
Të gjithë personat e lënduar janë trajtuar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.
“Ne ishim duke ecur në korsinë tonë tonë në rrugën kryesore. Maunja ka tentuar të ndalet te një market në Drenas, është penduar dhe është kthyer duke na goditur neve. Ne ishim të ndalur, që t’i jepnim përparësi të kalonte, por ai na goditi”, tha Kushtrim Bratrovci, i aksidentuar.
Në gjendje më të rëndë është një 15-vjeçar, me lëndim ortopedik.
“Të gjithë të lënduarit kanë lëndime trupore të lehta, të cilat nuk rrezikojnë jetët e tyre. Të gjitha rastet janë mbikëqyrur dhe janë trajtuar nga mjekët e emergjencës, nga degët diagnostikuese, laboratorike dhe radiologjike, e në bazë të konsulencave mjekësore, shumica e tyre është dërguar për trajtim të mëtejshëm në shtëpi. Ndërsa rasti i fundit, që po trajtohet në klinikën emergjente është ende në fazën diagnostikuese, që kërkon një vlerësim më të avancuar për t’i zbuluar ndonjë lëndim të mundshëm, me të cilin mund ta parandalojmë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore”, tha Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, QKUK.
Drejtori Lenjani tha më tej se, pavarësisht se kjo klinikë ka një sipërfaqe prej 507 metrash katrorë, që është minimumi i ofrimit të kujdesit emergjent, edhe kjo sfidë e radhës është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme, falë stafit të klinikës emergjente dhe stafit mbështetës të klinikave të tjera.