
Teksa data 8 maj është afati i fundit për shpërndarjen e zarfeve në diasporë, Komisioni Qendror i zgjedhjeve njofton se rreth 21mijë zarfe ende nuk kanë mbërritur në duart e votuesve jashtë territorit Shqiptarë.
“21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail-i kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. E kemi këtë informacion, ndaj i kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”, tha Celibashi.
Duke garantuar moscënimin e procesit nga jashtë, në një konferencë me gazetarët kryekomisioneri u ndal edhe të rastet e raportuara në task-forcën e ngritur për monitorimin e zgjedhjeve.
“Deri tani ka 130 kallëzime apo denoncime në konsiderim, të depozituara kryesisht nga parti politike, qytetarë, Policia dhe përfaqësues të tjerë, nën dyshimet për krim elektoral të mundshëm dhe që po hetohen apo verifikohen. Ka 130 procedime të regjistruara në SPAK, nga të cilat 8 janë regjistruar nga vetë SPAK”.
Pavarësisht se jemi vetëm 5 ditë larg ditës së zgjedhjeve, Celibashi u shpreh optimist se deri më 11 maj do të numërohen në KQZ mbi 200 mijë vota nga e gjithë diaspora.