Prodhimi i automjeteve në Gjermani ra gjatë këtij viti në nivelin e vitit 1974. Rënia u shkaktua nga mungesa botërore e gjysmëpërçuesve. Por problemi ka rrënjë më të thella.
Industria e automobilëve në Gjermani ka rënë gjatë vitit 2021 në një krizë të thellë, e cila fillimisht nuk ra në sy për shkak të rezultateve të mira financiare të kompanive. Por në fakt prodhimi i automobilëve ra këtë vit në nivelin e vitit 1974 shkruan gazeta “Die Welt”.
Sipas të dhënave të kësaj gazete deri në fund të vitit 2021 në Gjermani do të prodhohen vetëm 2.85 milionë makina. Kjo përbën një rënie prej 19 për qind në krahasim me vitin 2020, i cili ishte shumë i dobët. Sipas Ferdinand Dudenhöffer, drejtor i Qendrës private për Kërkime Automobilistike (CAR) në Duisburg, “viti që po përfundon është një vit i zi për industrinë e prodhimit të automjeteve në Gjermani”.
Kaq pak makina sa në vitin 2021 në Gjermani janë prodhuar për herë të fundit në vitin 1974, në kohën kur bota ishte përfshirë në krizën e parë të naftës. Në këtë kohë u hodh në treg VW Golf si pasardhësi i Beetle.
Shkaku i rënies aktuale është mungesa akute e gjysmëpërçuesve në industrinë e automobilëve në mbarë botën. Për shkak të pandemisë së koronës, fatkeqësive natyrore dhe gabimeve të sektorëve të blerjeve të koncerneve, prodhuesit e automobilëve nuk po furnizohen mjaftueshëm me gjysmëpërçues që prej një viti.
Rënia e Gjermanisë si prodhuese automjetesh e dukshme
Ndryshe nga Gjermania në Indi pati në vitin 2021 një rritje të prodhimit të automjeteve. Gjermania tani renditet e shtata në listën ndërkombëtare të prodhuesve më të mëdhenj të makinave. Kjo është një rënie dramatike, sepse vitin e kaluar, Gjermania renditej e katërta.
Mungesë gjysmëpërçuesish që prej një viti
Nëse e shikojmë në një periudhë disi më të gjatë kohore, rënia e Gjermanisë si prodhuese automjetesh bëhet edhe më e qartë. Rënia në prodhimin e atomjeteve në Gjermani nisi në vitin 2017, dhe kurba që prej atëherë është në rënie të vazhdueshme. Sot numri i makinave të prodhuara është 50 për qind më i ulët së në atë kohë.