Konfirmohen 2 raste me Omicron në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka deklaruar këtë të enjte se në Shqipëri janë konfirmuar 2 raste me Omicron. Megjithatë ekspertët thonë se në vendin tonë vijon të mbizotërojë varianti Delta.

“Siç jeni në dijeni prej disa javësh në botë po qarkullon virusi Omicron, variant tjetër i virusit Sars Cov-2.Komiteti bën me dije se është konfirmuar dyshimi i specialistëve për praninë e variantit Omicron edhe në Shqipëri me përgjigjen e ardhur nga laboratori i referencës në Shqipëri”, tha zv/ministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Ndërsa Silva Bino tha se gjatë 2 javëve të fundit ka pasur një rritje të personave që janë vaksinuar.

“Ka pasur një rritje në përqindjet e vaksinimit për dozat e para dhe të dyta, por edhe të treta, që ka sjellë një rritje të mbulesës me vaksina në vend që po arrin në rreth 40 përqind në popullatën e përgjithshme, dhe rreth 50 përqind në popullatën target. Bashkia e Tiranës ka pësuar një rritje të lartë, por edhe Himara, Saranda etj. Janë edhe disa bashki që kanë një nivel më të ulët vaksinimi, me të cilat po punohet”, tha Bino.

Ekspertët vlerësojnë se arma më e sigurt për t’u mbrojtur nga Covid mbetet vaksina.

Leave a Reply