Studimi: Omicron simptoma më të lehta se Delta

Dy studime të reja britanike kanë sugjeruar se varianti Omicron i koronavirusit shkakton simptoma më të lehta sesa varianti Delta.

Studimet e reja duket se mbështesin hulumtimet paraprake që sugjeronin se Omicron mund të mos jetë aq i dëmshëm sa Delta, thanë shkencëtarët, por paralajmëruan se nuk duhet të kemi optimizëm të tepruar.

Shkencëtarët po ashtu thanë se duhet marrë në konsideratë edhe faktin që Omicron ka aftësi që të shmangë mbrojtjen që ofrojnë vaksinat kundër koronavirusit. Po ashtu, ata thanë se rritja e rasteve mund të çojë në mbingarkesë të spitaleve.

Njëri prej studimeve ka analizuar rrezikun e hospitalizimeve nga Omicroni në Angli. Studimi gjeti se personat e infektuar me këtë variant kanë 20 për qind më pak gjasa të hospitalizohen sesa personat e infektuar me Delta, ndërkaq 40 për qind kanë më pak gjasa të qëndrojnë një natë apo më shumë në spital për shkak të infeksionit.

Një studim në Skoci sugjeroi se rreziku i hospitalizimeve nga Omicroni ishte më i ulët për dy të tretën krahasuar me variantin Delta. Por, studimi vuri në pah se rastet me Omicron në Skoci janë kryesisht në mesin e popullsisë së re, që cilët kanë më pak gjasa që të sëmuren rëndë nga COVID-19.

Varianti Omicron ka shkaktuar panik ne shume shtete duke i detyruar të marrin masa kufizuese.

Leave a Reply