Ka disa javë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se Kosova do të bëhet me ligj për referendum dhe se janë gati në përpilimin e pyetjes për qytetarët nëse janë ose jo për t’u bashkuar me Luginën.
Por një draft i ligjit për referendum tashmë është në Kuvend.
Ai madje ka kaluar procedurat në qeveri dhe shpejt pritet që për të të nisë diskutimi në Komisionet Parlamentare, raporton KTV.
Faton Topalli, deputeti i PSD-së që edhe e inicioi këtë projektligj me mbështetjen e 11 kolegëve të tij, beson në përkrahjen e partive politike në Kuvend dhe votën pro këtij projektligji me interes për shtetin.
Ai thotë se do të ishte keqpërdorim nëse nga presidenca do të bëheshin ligje me procedurë të përshpejtuar vetëm për një çështje të caktuar.
Por, Artan Murati nga KDI-ja thotë se Kuvendit nuk mund t’i prezantohen dy projektligje për një çështje të njëjtë.
Sipas tij, nëse ka iniciativë edhe nga presidenca, atëherë duhet të krijohet një komision i përbashkët e të harmonizohet me projektligjin e PSD-së.
Ky projektligj pati përplasur Vetëvendosjen me PSD-në.
Këta të fundit e patën proceduar projektligjin një ditë para se një gjë të tillë ta bënte Vetëvendosje.
Partia e Kurtit e akuzoi PSD-në se e kishin vjedhur projektligjin e tyre.
Vetë Topalli, si iniciues, tha se në projektligjin e tyre nuk ka asnjë rresht të shkruar nga Vetëvendosje.