Pas thirrjes së kryedemokratit Lulzim Basha për të nisur hetim për fshehjen e numrit të viktimave, reagoi kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. I kontaktuar nga “Vizion Plus”, Arben Kraja sqaroi se hetimi i akuzave të hedhura nga PD nuk është kompetencë e SPAK.
Sipas tij, për hetimin e kësaj çështjeje i takon të merret Prokurorisë së Tiranës dhe prokurorisë në rrethe, në rastet kur vdekjet ndodhin jashtë kryeqytetit. “Vizion Plus” pyeti edhe kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj nëse është nisur një hetim.
“Nuk kemi nisur dhe nuk do të nisim një hetim”, u shpreh ajo.
Lulzim Basha ka denoncuar në dy ditët e fundit se numri i viktimave nga COVID-19 është më i lartë, por po mbahet i fshehur nga qeveria. Shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo e paralajëroi kreun e opozitës se nëse e përsërit një deklaratë të tillë, do të kërkojë hetim nga prokuroria.