Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë për krime në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Special kundër ish-policit serb me inicialet N.A., i cili në vitin 1999 së bashku me persona tjerë të forcave policore serbe në lagjen “Emshir” në Prishtinë kishte rrahur dhe torturuar dy shqiptarë, raporton Gazeta Express.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri N.A. gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.
I pandehuri N.A. me datë 21.05.1999, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, me ç ‘rast në mënyrë çnjerëzore i kanë torturuar të dëmtuarit J.Sh. dhe S.Sh. duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje të mëdha dhe dëmtime të rënda trupore, nga pasojat e të cilëve ata vuajnë edhe sot.Të njëjtën ditë, i pandehuri N.A. në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte gjetur dhe përvetësuar nga të dëmtuarit shumën e madhe të parave, disa vetura dhe gjësende të tjera me vlerë.
Me këto veprime i pandehuri N.A. në bashkëkryerje ka kryer vepër penale Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144 paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.1. lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.