Protesta antiqeveritare në Sllovaki, mijëra qytetarë mbushin sheshin: Ne jemi Evropa!

Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën të premten në sheshin kryesor të Bratislavës, Sllovaki, duke mbajtur pankarta me slogane kundër kryeministrit Robert Fico.

Organizatorët vlerësojnë se 60,000 njerëz morën pjesë në demonstratën në sheshin Eleftheria, pothuajse katër herë më shumë se tubimi protestues që u zhvillua dy javë më parë. Demonstratat u organizuan nga grupi “Paqja në Ukrainë”.

Protestuesit thërrisnin “Mjaft me Fico” dhe “Ne jemi Europa” .

Në një moment ata kanë ndezur sheshin me celularë, kur ka pasur një ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike.

Demonstrata u organizuan edhe në 20 qytete të tjera të vendit. Sipas mediave lokale, rreth 15,000 njerëz morën pjesë në demonstratën në Kosice, Sllovakia lindore.

Klima politike u përshkallëzua këtë javë pasi qeveria e majtë nacionaliste e Ficos sulmoi opozitën, duke e akuzuar atë se kërkon të shkaktojë kaos.

Partitë e opozitës dhe organizatat e shoqërisë civile hedhin poshtë akuzat, duke thënë se ato janë bërë për të larguar vëmendjen e koalicionit qeverisës nga dështimi i tij për të zgjidhur problemet e vendit.

Protestat u organizuan pasi Fico udhëtoi privatisht në Moskë në dhjetor për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, një vizitë e rrallë nga një udhëheqës evropian që nga pushtimi rus i Ukrainës në 2022.

Ai thotë se qëllimi i tij ishte të siguronte furnizimin me gaz natyror të vendit të tij pasi Ukraina refuzoi të zgjaste një marrëveshje për tranzitin e gazit rus, duke ndërprerë rrjedhën nga 1 janari.

Leave a Reply