Protesta e PD, reagon Policia e Shtetit: Ishte paqësore, por do të nisim procedimet ndaj deputetëve

Policia e Shtetit ka reaguar pas protestës së opozitës ditën e sotme, që u shoqërua me bllokim të 5 akseve rrugore në intervalin kohor 11:00-12:00.

Përmes një deklarate për mediat, policia thotë se protesta ishte paqësore dhe nuk pati asnjë incident.

Megjithatë, Policia e Shtetit thotë se do të nisë procedimet penale për deputetë të Partisë Demokratike që udhëhoqën këtë protestë, pasi ishte i paligjshme.

“Protesta e sotme e opozitës, u organizua kryesisht nga deputetë dhe funksionarë të Partisë Demokratike në kundërshtim me ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, edhe pse u  lajmëruan me shkresë dhe publikisht nga autoritetet ligjore përkatëse. Përgjatë zhvillimit të tubimeve janë dokumentuar shkeljet e ligjit dhe përgjegjësitë e organizatorëve, konkretisht shkelje konform nenit 262 të Kodit Penal ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ si dhe  nenit 293 të Kodit Penal ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’.

Për këtë arsye Policia po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme proceduriale, këto veprime do t’u paraqiten Prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale.

Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar, megjithë pengesat e vështirësitë që patën gjatë bllokimit të rrugëve.

Policia e Shtetit është dhe do të mbetet garante e zhvillimit të tubimeve paqësore, por njëkohësisht edhe e sigurisë e qetësisë për gjithë qytetarët e tjerë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Leave a Reply