Protesta pro Palestinës në SHBA: Bombardimi i fëmijëve nuk është vetëmbrojtje

Disa mijëra demonstrues pro-palestinezë u mblodhën dje pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington për të shprehur pakënaqësinë me sjelljen e presidentit Joseph Biden dhe politikën e tij, të cilën ata e përshkruajnë si shumë mbështetëse ndaj Izraelit në luftën kundër lëvizjes palestineze Hamas në Rripin e Gazës.

Duke brohoritur sloganin “Nga Uashingtoni në Palestinë, ne jemi vija e kuqe”, protestuesit mbanin një pankartë të gjatë me emrat e palestinezëve të vrarë nga ushtria izraelite gjatë konfliktit tetë mujor.

Presidenti amerikan është nën kritika të ashpra në SHBA nga ata që besojnë se ai nuk ka ndikim të mjaftueshëm mbi qeverinë izraelite dhe mënyrën se si ajo qeveri kryen ofensivën në Gaza.

Biden ka shprehur mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin që nga fillimi i luftës në Gaza, por në mars ai vlerësoi se ofensiva e madhe në Rafah është një “vijë e kuqe” që nuk duhet kaluar.

Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës në maj në atë qytet në jug të Rripit të Gazës, Shtëpia e Bardhë vlerësoi se “vija e kuqe” nuk ishte kaluar.

Demonstruesit, kryesisht të veshur me rroba të kuqe, duke aluduar në “vijën e kuqe”, mbanin flamuj palestinezë dhe tabela ku shkruhej “Vija e kuqe e Biden ishte një gënjeshtër” dhe “Bombardimi i fëmijëve nuk është vetëmbrojtje”. /vizionplus.tv

Leave a Reply