Protesta të ashpra pro-palestineze në SHBA

1600 të arrestuar nga policia në të gjithë vendin

Në Los Anxheles, policia ka marrë kontrollin e situatës pas rritjes së tensioneve në protestat pro-palestineze. Protestuesve u është kërkuar të heqin çadrat që bllokojnë leksionet ose do të përballen me arrestime masive.

Tensionet ishin të larta në një tjetër natë protestash të ashpra, kundër luftës në Rripin e Gazës në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles. Forcat speciale të policisë amerikane morën kontrollin e situatës, pasi tensionet arritën kulmin gjatë përleshjeve mes pro-palestinezëve që kanë ngritur çadra për të bllokuar kampusin universitar dhe mbështetësve të Izraelit. Mbështetësit e çështjes palestineze u paralajmëruan se nëse nuk do të heqin çadrat, do të ndiqen penalisht, pasi universiteti i shpalli manifestimet pro-palestineze si të jashtëligjshme.

Policia po përballet edhe me kritika të ashpra nga zyrtarët kalifornianë, të cilët thanë se efektivët janë treguar të ngadaltë në reagimet për të shmangur përplasjet mes grupeve rivale të protestuesve. Tubimet pro-palestineze janë përhapur në dhjetëra universitete amerikane, së fundi edhe në universitetin e Teksasit në Dallas. Që prej nisjes së protestave javën e kaluar, në gjithë vendin janë arrestuar një numër i madh prej 1600 protestuesish.

Leave a Reply