Ndodhi edhe ky turp: për herë të parë në historikun e Medresesë Isa Beu, nxënësit e saj të ngriten të revotuar në protestë kundër Rijasetit. Ata kërkojnë që mos t’u ngulfatet shkollimi dhe Medreseja të akreditohet me qëllim që nxënësit të kenë mundësi të vazhdojnë nëpër fakultete, ku t‘u dojë e bardha zemër
Nga Qerime Bajrami
Medresantet e paraleles së vajzave në Tetovë, pa dyshim që do të ngelin në histori si të parat protestuese që shkrinë akullin e paturpësisë dhe u ngritën kundër manipulantëve të “Rijasetit” të BFI-së! Nxënëset kërkuan akreditim të Medresesë me qëllim të vazhdimit të shkollimit sipëror nëpër universitete publike e private. Universitetet, nga viti i shkuar akademik, kanë urdhër që mos të regjistrojnë asnjë medresant ndërsa ata-ato që gjenden nëpër fakultete, të çregjistrohen dhe të dëbohen jashtë. Aparthejd i gjallë! Për raste të tilla është shkruar disa herë dhe opinioni i gjërë është fort mirë i njohtuar.
Ajo që të habit më së shumti është “guximi i teologëve”, ideja e mbrapsht e “rijasetlinjëve” që të shpenzojnë mijëra euro për reklama e apele hajdutërie që të japin myslimanët e vendit sa më shumë fitra e zeqat të cilat “po u dedikoheshkëkan” Medresesë! Nga ana tjetër, medresantët paguajnë vit për vit shkollimin e tyre. Kaq lehtë i japin të drejtë vetes për manipulim këta “hoxhallarë” të “rijasetit” të Shaqir Fetait? Flitet se, dikur, në fillet e para të Medresesë, nuk janë pranuar në vit më shumë se 60-70 medresantë, të cilët, deri në fund nuk kanë ngelur më shumë se 30-40 dhe, për këtë numër nxënësish BFI-ja ka pasur mjaftueshëm buxhet për t’i shkolluar pa e mjeruar fare xhepin prindërve, myslimanëve të vendit. Ndërsa sot, i regjistrojnë nga 150-200 në vit, ndërsa si gjeneratë, në fund, të dalin nja 300 medresantë! Pa kurrfarë kriteri e kujdesi, me korrupsion e me shitje të viteve shkollore, plus që u kërkojnë që ta paguajnë vitin shkollor! Nuk është ky synim djallëzor për ta rënduar sa më shumë portofolin e prindërve, myslimanëve të vendit, edhe atë në emër të Medresesë, e cila, në vend se t’ua hapë erspektivat, u shkakton telashe jetësore!
Islamikisht do të duhej të ishte ky qëndrim dhe ky apel institucional: “Medreseja nuk është e akredituar dhe nuk pranohet! Medreseja është shkollë profesionale që përgatit ekskluzivisht hoxhallarë për nevojat e BFI-së! BFI-ja nuk ka nevojë më shumë se për 10-20 hoxhallarë në vit, ndaj dhe, numri i medresantëve që duhet të regjistrohen në vitin shkollor do të jetë i kufizuar në 30. Të tjerët, le të vrapojnë e le të orientohen pas perspektivave të veta!” T’u bëhet me dija edhe fakti që, Medreseja kurrë nuk do të akreditohet dhe nuk është mirë të akreditohet, sepse, do të rrëshqiste në llojin e Medresesë së mbretërisë serbe, “Medreseja Aleksandri i Madh”! Kuadrin teologjik do ta profizilonte pushteti politik!
Çka kërkuan konkretisht medresantet nga paralelja e dispersuar në Tetovë?
“A mundet që medresantët pas përfundimit të medresesë si krejt nxënësit të regjistrohen në universitetet publike dhe private? Sigurisht përgjigjja është jo. Kërkesat tona, hasin në veshë të shurdhër nga Riaseti i BFI-së dhe nga Ministria e Arsimit e Qeveria. Po marshojmë! Mjaftë ishte. Duam drejtësi, duam arsimim të barabartë si gjithë bashkë moshatarët tanë”, foli e revoltuar njëra nga medresantet në protestë.
Ndërkaq një prind që i ishte bashkangjitur protestuesve do të shtojë:“E shihni edhe vet, protesta është lajmëruar që dje, ka qenë i njoftuar edhe myftiu edhe zëvendësi por, e shihni, arkivi është i mbyllur. Por nuk e lëmë me kaq, ne do vazhdojmë”!
Të merremi vesh: kësaj proteste i vie era manipulim! Në Maqedoninë e Veriut, është Medreseja qendrore në Shkup si dhe nja pesë paralele të dispersuara, me nja 800 nxënës sipas prononcimeve mburracake “të zyrtarëve” të BFI-së së Shaqir Fetait. Të paktën, për këtë numër nxënësish kërkojnë fitra e zeqate, kurbanë e lëkura të kurbanëve! Problemi i vjimit të studimeve nuk duhet të jetë shqetësim vetëm i nxënëseve medresante të Tetovës por, ky problem duhet t’i tangojë të gjithë medresantët. Protesta duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Të kordinohen mirë nxënësit në mes vete dhe, pa dyshim që duhet të formojnë urgjentisht një këshill protestues i cili do të jenë bartës dhe shtrues i kërkesave të medresantëve si para “rijasetit” të politizuar, ashtu edhe para subjekteve tona politke por edhe para organeve shtetërore, si negociatorë për tjekalimin e problemit jetik për medresantët!
Marshuta e protestës është shumë e gabuar! Çfarë faji ka Myftinia e Tetovës? Manipulim! Marshuta e protestave duhet të jetë nga paralelja e medresanteve në Çarshi të Vjetër në Shkup, ku duhet të mblidhen medresantët e paraleleve gjithandej viseve ku funksionojnë dhe, protesta të shtrihet nga aty e deri para Rijasetit dhe, pastaj nga aty e para Qeverisë!
Manipulimi, rrena dhe grabitja në emër të Medreseve planifikohet në Rijaset e jo nëpër myftini! Madje, harambashët e “rijasetit” të Shaqir Fetait edhe me këtë rast dalin me “reagim” idiotik sa, me të vertëtë këta të BFI-së e meritojnë një protestë gjithëpopullore deri sa të vetëdijësohen se aty janë për t’i shërbyer popullit dhe jo për t’i manipuluar dhe grabitur.
Nga BFI-ja e dërguan këtë reagim kundër protestave të medresanteve (nuk patën kurrfarë prononcimi për gjuajtjen me armë në drejtim të objektit të paraleles së këtyre medresanteve): “Prej 5 vitesh bëjmë përpjekje për akreditimin e Medresesë së Isa Beut në sistemin arsimor të vendit. Si rezultat i asaj që vitin e fundit janë intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, tashmë është përgatitur drafti i cili në një afat të caktuar do të futet në procedurë parlamentare me qëllim të miratimit të ligjit. Në bisedat e shumta që ka pasur kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai me bashkëpunëtorët e tij, ka marrë premtime se kjo çështje do të merr epilogun e vet pozitiv. Të këtilla janë garancitë nga faktorët relevant politik dhe Qeveritar”, thuhet në reagimin-pamflet partiak të BFI-së.
A është lexuar komunikatë më idiotike të një organi kundër “fëmijëve” të vet? Prej pesë viteve po bëka përpjekje Shaqir Fetai, ndërsa në krye të BFI-së u instalua nga pushteti maqedonas tash e një vit e ca muaj! Shaqir Fetai paska biseduar me bashkëpunëtorët e vet dhe prej tyre paska marrur premtime për akreditim!!! Po kush janë ata bashkëpunëtorë të tij që japin akreditime! Po si qenka gati drafti i cili së shpejti do të futet në parlament për miratim! Pa kaluar fare në debat publik? Pa marrur miratimin e stafit akademik të BFI-së, pa marrur pëlqimin, miratimin dhe sugjerimet e kuadrit teologjik të vendit? Apo Shaqir Fetai ka vendosur që këtë Medrese t’ia falë pushtetit ndërsa të hapë një privat për t’i shuar “frustrimet intelektuale” që i ka sa një stog plehu! Punë që nuk bëhet kurrë!
Se nuk mund të bëhet kurrë e pohojnë edhe kompetentët nga Ministria e Arsimit të cilët nënvizojnë se “Shkollat fetare nuk janë pjesë e sistemit arsimor nacional që financohet nga shteti, sepse edhe Kushtetuta e RMV-së është shumë decide për sa i përket sekularizmit t shtetit tonë.”
Atëherë, protestat duhet të orientohen ose për ndryshime kushtetutare (që gjasat për të ndodhur janë zero), ose në kthim të parave të dhëna për shkollim në Medrese! Perspektiva e të rinjëve është gjë e shenjtë. Atë nuk guxon ta manipulojë askush, pra, as Shaqir Fetai.
Me Shaqir Feta nuk zgjidhet asnjë problem i BFI-së dhe i medresantëve, sepse ai nuk është instaluar në krye të BFI-së që t’i shërbejë medresantëve porse t’ia amortizojë problemet pushtetit që mund t’i vinë nga paknaqësitë eventuale të shtresave të teologëve të tashëm e të ardhshëm. Shaqir Fetai premton “parajsë”, ashtu siç i premtojnë “parajsë” atij përfaqësuesit e pushtetit me zero interesim për problemet islame në Maqedoninë e Veriut.