PSD dëbon “rebelët”

Këshilli Kombëtar i Partisë Social-Demokrate, këtë herë i mbledhur zyrtarisht, ka marrë masa disiplinore ndaj 2 anëtarëve të saj, të cilët disa ditë më parë kërkuan të organizonin një mocion mosbesimi ndaj kryetarit Skënder Gjinushi.

Vetë drejtuesi i PSD-së e ka cilësuar si të patolerueshme, jo thjeshtë mungesën e disiplinës, por edhe përpjekjen për të uzurpuar me forcë partinë.

Rustem Preçi, një prej tre rebelëve, është pezulluar nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PSD-së, vendim ky që sipas zotit Gjinushi është marrë edhe me pëlqimin e tij.

Ndërkohë, Muhamet Gaba lirohet nga detyra qoftë si anëtar kryesie, qoftë edhe i Këshillit Kombëtar. Sa i takon rebelit të tretë, krerët e PSD-së nuk kanë bërë të ditur nëse është marrë një vendim edhe ndaj tij.

“Disa nuk dinë ta shprehin pakënaqësinë ose etjen për të përfituar dhe nuk ka ndodhur në asnjë parti që dy apo tre anëtarë të pretendojnë të bëjnë mbledhje dhe kur s’u vjen njeri, prapë e quajnë mbledhje”, thotë kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i PSD-së ka miratuar edhe marrëveshjen bashkëqeverisëse me Partinë Socialiste./ Top Channel

Leave a Reply