Psikologji/ A e humbasin udhëheqësit kontaktin me realitetin?

A e humbasin udhëheqësit kontatin me realitetin kur veprojnë të udhëhequr vetëm nga etja për pushtet? Sipas psikologut Guy Claxton, profesor i shkencave mësimore në Universitetin e Winchesterit, veprimet e tyre mund të kenë të bëjnë me “çrregullime të inteligjencës”

Udhëheqësit botërorë akuzohen shpesh herë për arrogancë, apo për përdorim të pushtetit në mënyrë arrogante, dhe duke u shërbyer vetëm interesave të tyre. Liderët dhe menaxherët në jetën publike rrallëherë i shpëtojnë kritikave, kur marrin vendime që nuk janë popullorë. “I ka rënë pushteti në kokë”, është një akuzë që dëgjohet shpesh herë.

Pra, a e humbasin udhëheqësit kontatin me realitetin, kur veprojnë të udhëhequr vetëm nga etja për pushtet? Sipas psikologut Guy Claxton, profesor i shkencave mësimore në Universitetin e Winchesterit, veprimet e tyre mund të kenë të bëjnë me “çrregullime të inteligjencës”.

Gjatë një konference të Shoqatës Mbretërore të Mjekësisë, me titull “Intoksikimi i pushtetit”, Profesor Claxton thoshte se inteligjenca njerëzore është e përbërë nga katër sisteme të ndryshëm mendorë, që funksionojnë në harmoni mes tyre. Kur njëri prej këtyre sistemeve nuk përdoret, procesi i vendim-marrjes mund të bëhet i pabesueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm.

Në vend që të analizojnë veprimet, të kontrollojnë pasojat e atyre veprimeve dhe të flasin për vendimet që marrin, udhëheqësit shpesh herë priren nga vendim-marrja impulsive – dhe pikërisht në këtë mënyrë mund të hedhë rrënjë arroganca. “Asnjëri prej këtyre sistemeve nuk është i pagabueshëm. Nevojitet një kuartet xhazi i tyre, për të arritur inteligjencë të plotë njerëzore”, thotë Profesor Claxton.

Rrezik

Kur flitet për qeveri dhe kryeministra, ky dështim i inteligjencës krijon nevojën për të gjetur mënyra që të mos lejohet pushteti të dalë jashtë kontrolli, si për shembull House of Lords në Angli që kontrollon pushtetin e House of Commons. Por, kur individët janë në pozicione me pushtet të madh, atëherë ka rreziqe të tjerë, thotë profesori.

“Politika mund të bëhet e rrezikshme. Udhëheqësit kanë pushtetin që të krijojnë luftëra”. Kur pjesa tjetër e botës e bën të ditur se nuk u pëlqen ky lloj lidershipi, atëherë këta udhëheqës përpiqen të përdorin, atë që Prof Claxton e quan “arrogancë mesianike”. “Ata e zhvendosin lidershipin në një sens përulësie, sikur të jenë duke dëgjuar një zot të brendshëm, apo një fuqi më të lartë kur marrin vendimet e tyre”. Këtu kemi të bëjmë me shfaqjen e vetëmashtrimit dhe një ndjesi vetëvlerësimi. Për të luftuar këtë, një sens humori është një mjet i dobishëm, thotë Profesor Claxton.

“Tradicionalisht, njerëzit e pushtetshëm kanë patur një klloun që i vinte në lojë, që bënte shaka me ta, duke i kujtuar në mënyrë të vazhdueshme se janë thjeshtë qenie njerëzore”. Kjo do të thotë se një kujtesë për gabueshmërinë tënde është e domosdoshme kur je udhëheqës, në çfarëdolloj fushe.

Pa ndjeshmëri

Një tjetër rrezik për njerëzit e pushtetshëm është një mungesë potenciale e ndjeshmërisë për të tjerët, një tjetër temë e diskutuar në konferencën e Shoqatës Mbretërore të Mjekësisë. Studimet neuroshkencore kanë treguar se trupi i njeriut reagon kur sheh dikë në dhimbje, duke aktivizuar dhimbjen në skajet e veta nervore, me qëllim që të pasqyrojnë dhimbjen e tyre.

Studime të mëtejshme në këtë fushë tregojnë se nëse një personi nuk i pëlqen një tjetër, për çfarëdolloj arsye, ndjeshmëria ka më pak gjasa të jetë e pranishme. Dr. Jamie Ward, lektor i psikologjisë në universitetin e Sussexit, thotë se pushteti ka të njëjtin efekt. “Ke më pak gjasa të imitosh një person të një statusi të ulët kur je vetë në një status të lartë, për arsye se nuk ke gjasa të identifikohesh apo të kesh ndjeshmëri për ta. Kjo do të thotë se njerëzit e pushtetshëm janë më pak të ndjeshëm”.

The Atlantic – Bota.al

Leave a Reply