Publikohen pamjet e plagosjes së 33-vjeçarit

Gjykata lë në qeli 2 autorët, 3 të tjerë janë në kërkim

Ky është momenti kur 33-vjeçari Iljaz Ismaili qëllohet me armë zjarri nga disa të rinj në Poshnje të Urës Vajgurore.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes së shkuar në ambientet e jashtme të një lokali, ndërsa Ismaili mbeti i plagosur rëndë.

Siç shihet edhe nga pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë fillimisht në oborrin e lokalit mbërrin një fuoristradë e cila drejtohej nga Iljaz Ismaili i veshur me një bluzë të kuqe, ndërsa në sediljen e parë të pasagjerit gjendet i vëllai i tij.

Vetëm pak sekonda më pas aty mbërrin kjo makinë, nga e cila zbresin 5 persona, por jo të gjithë përfshihen në konflikt.

Njëri prej tyre, që drejtonte automjetin e dytë dhe një person i dytë, tentojnë ta marrin me forcë Ismailin, por hasin në rezistencën e tij dhe të vëllait.

Gjatë përplasjes fizike ky person që mban edhe një çantë, nxjerr pistoletën dhe qëllon dy herë në drejtim të 33-vjeçarit duke e plagosur rëndë.

Menjëherë pas këtij çasti 5 të rinjtë tentojnë të largohen, por në përpjekje për të hipur në makinë autori i plagosjes teksa mbante pistoletën në dorë rrëzohet në tokë.

Në lidhje me këtë ngjarje Policia e Beratit arrestoi Adriatik Shabanajn dhe Aurel Filajn si autorë të dyshuar të plagosjes, të cilët u lanë në burg edhe nga gjykata, ndërsa shpalli në kërkim 3 të tjerët. Nuk dihen ende shkaqet e këtij konflikti, por Iljaz Ismailit kishte vetëm pak kohe që ishte kthyer nga Anglia./Tv Klan

Leave a Reply