Presidenti rus Vladimir Putin në javët e ardhshme do të vizitojë Korenë e Veriut dhe Vietnamin, shkruan sot gazeta “Vedomosti”, duke cituar një burim diplomatik.
Ambasadori i Rusisë në Korenë e Veriut, Alexander Matzegora, konfirmoi për gazetën ruse se vizita e presidentit në Phenian do të ndodhte, duke shtuar se kishin nisur përgatitjet.
“Vedomosti” gjithashtu vuri në dukje se vizita e Putinit në Vietnam mund të bëhet që në fillim të këtij muaji dhe me shumë gjasa pas vizitës së tij në Korenë e Veriut.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vizitoi Rusinë në shtator për bisedime me Putinin.
Kim vizitoi portin hapësinor Vostochny në Lindjen e Largët Ruse dhe Putini u zotua të ndihmojë Korenë e Veriut në ndërtimin e satelitëve.
Kremlini ka thënë se Rusia dëshiron të ndërtojë një partneritet me Korenë e Veriut “në të gjitha fushat”, por ende nuk ka konfirmuar datën e vizitës së tij në vend.
Rusia ka forcuar lidhjet me Korenë e Veriut dhe vende të tjera armiqësore ndaj SHBA-së, si Irani, që nga fillimi i luftës me Ukrainën, marrëdhënie të cilat u bënë një burim shqetësimi për Perëndimin.
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina akuzuan Rusinë në janar për lëshimin e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi të furnizuara nga Koreja e Veriut në Ukrainë, të cilën Rusia ka refuzuar ta konfirmojë ose mohojë.