Qeveritë europiane, përpjekje për përshpejtimin e vaksinimit

India me ritmet më të larta. Siguroi 100 milionë doza në 85 ditë

Vendet europiane po shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të përshpejtuar ritmet e vaksinimit në kushtet e pamjaftueshmërisë së dozave nga 3 firmat që kanë marrë deri më tani lejen për përdorim urgjent.

Autoritetet franceze vendosën të zgjasin deri në 6 javë afatin e marrjes së dozës së dytë të vaksinës Pfizer/BioNTech, nga 4 javë që është deri më tani. Autoritetet thonë se kjo u krijon mundësi më shumë personave të marrin dozat e para në krahasim me ritmet aktuale.

Franca dhe Gjermania kanë injektuar tek 15% e popullsisë të paktën 1 dozë, çka tregon megjithatë ritme të ulëta vaksinimi edhe pse këtë javë janë shtuar ndjeshëm furnizimet dhe injektimet.

India konsiderohet tashmë vendi me ritmet më të shpejta të vaksinimit në botë, pasi në vetëm 85 ditë siguroi 100 milionë doza vaksinash. Shtetet e Bashkuara e kanë siguruar këtë sasi për 89 ditë, ndërsa Kina për 102 ditë.

India është vendi me nivelet më të larta të infektimeve ditore të momentit. Këtë 24-orësh u shënua një rekord i ri pandemie me gati 153 mijë infektime të reja.

Leave a Reply