Kryeministri Edi Rama teksa foli për aktin normativ, që synon të rregullojë raportet qiramarrës-qiradhënës, Rama tha se shqiptarët janë popull solidar. Në një intervistë për ‘Opinion’, kreu i qeverisë tha se kjo është një kohë lufte ku gjithkush duhet të heqë diçka nga vetja.
“Shqiptarët janë njerëz solidarë, janë njerëz që kuptojnë dhe mirëkuptojnë. Një grusht nuk bën as shumicën dhe as karakterin e shqiptarëve. Patjetër mund të ketë një grusht. Pikërisht se janë këta njerëz ka dalë akti normativ. Le ta provojnë që të kacafyten. Kjo është një kohë lufte ku gjithkush duhet të heqë diçka nga vetja. Shumica dërrmuese e qiradhënësve duhet ta shohin këtë, jo vetëm nga njerëzillëku dhe solidariteti, por edhe në mënyrë pragmatike. Pse do ta nxjerrësh ti një biznes që është sot i ndaluar të punojnë, kur ti nuk ke mundësi të gjesh të vij një biznes tjetër”, tha Rama.
Ai përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij se taksat, faturat e dritave dhe të ujit do të paguhen të gjitha.“Heqje taksash, shtyrje takash, shtyrje faturash, të mos e përdorin në këtë luftë. Lufta financohet me taksa, nuk financohet nga ndonjë shpellë që ka flori, por financohet nga taksat. Kemi falur 150 milionë dollarë kamatëvonesa. Taksa, fatura detyrimesh për drita, janë jashtë bisedës”, pohoi kryeministri.