Kryeministri Edi Rama ka inspektuar disa investime publike në jug të vendit. Lungomare ishte ndalesa e parë e kreut të qeverisë, për të vijuar me rikonstruksionin e rrugës “Veledin Kollzoi”dhe rivitalizmin e hapësirës përreth.
Një investim ky që së bashku me atë të Lungomares e shndërrojnë qytetin bregdetar në një destinacion atraktiv për turistët. Në Rradhimë kreu i qeverisë pa nga afër nënstacionin elektrik të rikonstruktuar, që do të mundësojë furnizimin me energji elektrike të zonave përreth.
Këtij investimi iu shtuan edhe dy nënstacione të reja në Dhërmi e Himarë, të cilët mundësojnë furnizimin me energji elektrike të Orikumit, Llogarasë, Rradhimës, Dhërmiut e Himarës. Për kreun e qeverisë këto investime u mundësuan falë reformës në sektorin energjetik.
Edi Rama: Të gjitha këto janë kontribute të konsumatorëve që po kthehen në investime. Të gjitha këto investime do të garantojnë shërbimin cilësor me energji elektrike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ripërtëritjen e një rrjeti që në 85 % të tij është i moshës së elektrifikimit.
Në mbyllje të turit në jug të vendit, kreu i qeverisë u ndal edhe në Sarandë, ku pa nga afër vijimin e punimeve në një kompleks muzeal dhe turistik që lidhet përmes Rrugës së Flamurit me shëtitoren bregdetare, një hapësirë prej 6 mijë m2.
Edi Rama: Kjo hapësirë ishte një tmerr. Tani transformohet në një rrugë qytetare, turistike me gurë dhe lidhet me pjesën poshtë të shëtitores, e cila edhe ajo ka nevojë për ca ndërhyrje, sepse edhe kur është bërë, është bërë shkel e shko. I gjithë ky kompleks futet në një tjetër cilësi dhe i jep shumë më tepër dinamizëm qytetit, sidomos në periudhën e turizmit.
Projekti që kap vlerën e 103 milionë lekëve përfshin edhe restaurimin e fasadave të ndërtesave, gjelbërimin, ndriçimin dekorativ e funksional të rrugës. Për të ndërlidhur të gjitha hapësirat në zonë, sheshe, trotuare, lulishte, do bëhet shtrimi i sipërfaqes me pllaka guri dekorativ.