“Vendimet arbitrare të drejtësisë dhe gjyqtarët e korruptuar po pengojnë ekonominë dhe zhvillimin e saj”.
Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministri Edi Rama në tryezën e përbashkët të organizuar mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë mbi sfidat ekonomike që ka vendi dhe kreditimin.
“Është mungesë e rëndësishme ajo e kryetarëve të gjykatave këtu sepse nëse ka një shembull kuptimplotë për faktin sesi një drejtësi e korruptuar mund të pengojë një ekonomi dhe zhvillimin e ekonomik, na e jep sjellja arbitrare e gjykatave dhe gjykatësve të korrutpuar në raport me vendimet për kolateralin”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, zhbllokimi i kanalit të drejtësisë për t’i mundësuar bankave ekzekutimin e kolateralit dhe çlirimi i bankave nga kthetrat e korrupsionit të drejtësisë, është një hap i rëndësishëm për zhbllokimin e kredive.
“Që në fillim i kemi marrë me shqetësim kreditë e këqija, si shprehje e një ekonomie në krizë, por mbi të gjitha e një gjendjeje financiare kaotike”, deklaroi kryeministri.
Rama përmendi një sërë reformash dhe vendimesh të qeverisë për t’i dhënë hov kreditimit të ekonomisë, mes të cilave ai për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit që Qeveria trashëgoi, si një masë dhe mundësi për të ulur kreditë e këqija.
Ndërkohë, në fjalën e hapjes, Guvernatori Genti Sejko deklaroi se pavarësisht se mbeten në shifra relativisht të lartë, kreditë e këqija nuk kanë cënuar sistemin bankar në vendin tonë.
“Ritmi i rritjes së kredive me probleme është ngadalësuar, shpenzimet vjetore të bankave kanë rënë dhe kredia e re, ajo në lek ka qënë e qëndrueshme”, tha Sejko.
Sejko sugjeroi ndryshime ligjore për të përshpejtuar dhe thjeshtuar procesin e shqyrtimit dhe ekzekutimit të kolateralit nga ana e gjykatave.
“Problematika kryesore dhe një nga pengesat më të rëndësishme që kemi patur kanë qenë pengesat me procesimin e rasteve në gjykata, vonesat që kanë ardhur nga gjykatat, në raste që do të ekzekutonin kolateralin dhe Zyrat e Përmbarimit”, tha ai.