Gazeta gjermane Bild ka publikuar një shkrim ku tregon për një përplasje deklaratash mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit gjerman të Shëndetësisë lidhur me këtë pretendim. Duke folur për Bild, kreu i qeverisë shqiptare e cilëson deklaratën e ministrit gjerman një skandal, ndërsa thekson se nuk do të lejojë që Shqipëria të identifikohet si një vend rreziku për pushime turistike.
“Është një skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin dhe kështu gjithashtu zhvlerëson njerëzit me një sfond migrimi. Unë nuk do të lejoj që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet e pushimeve, nuk ka shifra për ta provuar këtë”.
Më tej Rama, duke vijuar kritikat ndaj Spahn, thekson se është e papranueshme për të që ngrihen pakënaqësi ndaj vendeve të Ballkanit.
“Një Ministër gjerman i Shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi stereotipike kundër Ballkanit në mënyrë që të mbrojë një rekord të dukshëm të keq.”
Ministri gjerman pretendoi se rreth 50% e infektimeve në Gjermani verën e kaluar erdhën nga udhëtimet jashtë vendit, kryesisht vizita tek të afërmit në Turqi dhe Ballkan. Ndaj ai kërkoi që këtë vit kjo gjë të parandalohet dhe këto lloj vizitash nuk duhet të ndodhin këtë verë.