Rama përgjigjet në Parlament për McGonigal

“Hetimet në SHBA s’kanë asnjë lidhje me mua”

Nga foltorja e Parlamentit, Kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë të opozitës se është nën hetim nga autoritetet amerikane për çështjen “McGonigal”. Duke iu përgjigjur interpelancës dhe mocionit me debat të kërkuar nga demokratët, ai pranoi takimet e bëra me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, si dhe sqaroi se përmendja 14 herë e emrit të tij në aktakuzë nuk kompromenton as atë dhe as qeverinë në një aferë korruptive, siç pretendon opozita.

“Ka shpërthyer një kanal i ujërave të zeza. Aktakuza nuk thotë asgjë, as për mua, as për qeverinë shqiptare apo për këdo tjetër që ka takuar personi në fjalë”, tha Kryeministri Rama.

Por Sali Berisha pretendoi të kundërtën duke i sjellë për referencë deklaratën e bërë sipas tij nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.

“Çfarë tha Prokurori i Përgjithshëm mbrëmë në Senatin Amerikan? Ata qe pagujnë punonjësit tanë për interesa të qeverisë tyre, ata cënojnë sigurinë tonë kombëtare. punonjës theksoi ai, lëre më kryezbuluesin. Ndaj dhe hiq çdo iluzion, je në hetim ke kryer krim, sa do të mbajë imuniteti diplomatik, por ne do bëjmë gjithçka të ta heqim atë”, u shpreh kryedemokrati Berisha.

Akuzat e opozitës, kryeministri i kaloi me jo pak ironi në sallën e Parlamentit, ku ndryshe nga herët e tjera, nuk qëndroi i ulur pranë ministrave, por në krah të Pandeli Majkos.

“Sipas tyre, DASH është byrektore që gjizën e merr nga unë, brumin e merr nga Sorosi, okllainë nga Charli, drutë për furrë i merr nga personi A me origjinë nga Tropoja, tavën e byrekut nga personi B nga Skrapari, letrën e byrekut ia çon Kimetja dhe pasi Sekretari i Shtetit i jep zjarr me firmën e tij, byreku piqet dhe del në pazarin e Tiranës dhe helmon zemrën e loçkut të popullit opozitar, o Zot”, tha kryeministri Rama.

Sali Berisha e paralajmëroi për destabilitet nëse afera, siç e cilësoi ai nuk do të hetohet nga Parlamenti.

“Pa marrë përgjigje këto pyetje, Shqipëria do ketë kaos dhe vetëm kaos”, u shpreh kryedemokrati Berisha.

Kryeministri hodhi poshtë akuzat se ka paguar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së për shkatërrimin e Partisë Demokratike, duke mos kursyer edhe Lulzim Bashën, të cilin Sali Berisha e etiketon si peng të Edi Ramës.

“Dëgjova që dhe ai, artisti Lulzim ishte zgjuar një çast nga gjumi i dimrit dhe kishte bërtitur “Doli e vërteta”. Cila e vërtetë doli? PD së bashku me një parti tjetër në Maqedoni, në Malin e zi, në Bosje, financohen nga paratë ruse për të destabilizuar. Është në raportin e CIA-s”, u shpreh Rama.

Për këtë çështje, përgjigjen Sali Berisha ia dha jashtë Kuvendit.

“Pavarësisht nga këto financime u bë gjithçka që Lulzim Basha të mbetej kryetar i PD-së për interesa të Edi Ramës dhe të largohej Sali Berisha që kurrsesi nuk mund të ndiqte interesat e Ramës as interesat ruse në Shqipëri, tha ai.

Pavarësisht akuzave në adresë të tij, Edi Rama e sfidoi opozitën me përballje elektorale, ndërsa paralajmëroi me një tjetër shpallje “nongrate” nga radhët e saj.

“Ju presim në 14 Maj për të na mundur më keq se na keni mundur në këto 9 vite ku veç Tiranës, Durrësit e Elbasanit që siç na keni informuar, i keni në xhep, do merrni dhe Vlorën dhe Washingtonin dhe deri atëherë, kujdes se byrektorja vazhdon punënGjiza ka arritur dhe okllaia po shtron brumin tjetër për tavën që pritet të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do ta shihni vetë”, u shpreh Rama.

Seanca plenare e të enjtes është parashikuar të zgjasë 24 orë pasi në rend të ditës, krahas mocionit me debat është përfshirë dhe interpelanca e kërkuar nga opozita me kryeministrin Rama për atë që e cilëson afera “McGonigal”.

Leave a Reply