Kryeministri Edi Rama përdori një gjuhë të ashpër kur foli për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu. Sipas Ramës, nuk mund të flasim për goditje të korrupsionit dhe drejtësi nëse ata nuk dënohen dhe futen në burg.
“Teksa vetingu bën kërdinë e duhur mbi gjithë të zezën e akumuluar në vite, nuk do të ketë goditje të korrupsionit në nivele të larta, nëse nuk do të goditet korrupsioni i niveleve të larta brenda sistemit të drejtësisë. Nëse gjykatës dhe prokurorë që janë kapur në flagrancë me pasuri marramendëse nuk do të shkojë pas hekurave, të mos kemi iluzion se kjo do të ndodhë me zyrtarë shumë të lartë. Nëse sot kapim gjyqtarë që në sallën e gjyqit japin vendime skandaloze me idenë se nuk e kalojmë vetingun dhe të dalim me një thes me para, nuk dalin para drejtësisë dhe nuk bëhen shembuj, atëherë do të jetë e largët dita kur goditja do të ngjitet më lart. Kjo është premisa ku sipas meje duhet të përqendrohet gjithë puna e institucioneve të drejtësisë dhe ku duhet të punojë SPAK.”
Kreu i qeverisë deklaroi se ata janë koka e korrupsionit dhe jo politikanët. Sipas tij, po të mos ekzistonin gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, atëherë as politikanët nuk do të bënin dot afera për shkak të frikës.
“SPAK ka misionin të pastrojë deri në fund ata që vetingu i pastron thjesht nga fusha e drejtësisë. Të pastrohen nga jeta shoqërore të gjithë ata që kanë përdorur çekiçin në mënyrën më barbare. Kjo duhet të ndodhë pavarësisht se çfarë ndodh me konferencat e Brukselit. Beteja këtu është beteja për ta filluar tamam nga koka. Koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, edhe pse kanë qenë pjesë. Koka e korrupsuionit në Shqipëri ka qenë korporata e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve që ka aplikuar pandëshkueshmërinë në sistem. Po të mos kishin qenë këta, nuk do të kishte qenë as korrupsioni spektakolar dhe vrastar i politikanëve.”
Edi Rama e cilësoi të patolerueshme që sot emrat e drejtësisë të shkarkuar vazhdojnë të qarkullojnë si avokatë.
“Bashkëjetesa mes sistemit të ri dhe peshkaqenëve asburdë që vazhdojnë të lundrojnë në formë avokatësh, në formë konsulentësh, në formë politikanësh a deputetësh, do të ishte një goditje.”
Kryeministri shtoi se nëse diçka e tillë nuk arrihet, atëherë ky do të ishte një zhgënjim për shqiptarët dhe një dështim edhe i ndërkombëtarëve.
“Në rast të kundërt SPAK do të jetë zhgënjimi më i madh i shqiptarëve në reformën në drejtësi. Do të jetë goditja më e madhe morale që do t’i bëhet popullit shqiptar pas mbështetjes së madhe që i dha reformës në drejtësi dhe do të jetë dështimi më i madh i partnerëve të Shqipërisë që janë përfshirë në këtë proces.”