30 minuta takim në Presidencë
Kryeministri Rama ka zhvilluar këtë mëngjes një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begajn.
Nga ora 8:30 deri në orën 09:00 Rama dhe Begaj kanë bashkëbiseduar kokë më kokë në Presidencë.
Asnjë nga institucionet nuk bëri të ditur qëllimin e takimit dhe temat e diskutuara, por televizioni Klan mëson se Kryeministri dhe Presidenti janë konsultuar për emrin e kandidatëve të mundshëm për kreun e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Aktualisht ky shërbim drejtohet nga nëndrejtori Oljan Kanushi, pas largimit të Helidon Bendos në Dhjetorin e shkuar.
Nuk bëhet e ditur nëse temë e diskutimit mes Ramës dhe Begajt ishte dhe ecuria e negociatave për marrëveshjen e detit, teksa këtë fundjavë Kryeministri do të udhëtojë drejt Greqisë ku do të ketë një takim edhe me homologun Mitsotakis.